Damian Gjiknuri, pas takimit me ambasadoren amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, e cila mblodhi në KQZ partitë politike, u shpreh se në fokus të takimit ishte shqetësimi i SHBA-së në lidhje me financimin e partive nga vende “jomiqësore”.
“Në takim u ngrit shqetësimi lidhur me financimet e shteteve të huaja jomiqësore dhe masat që duhet të marrin partitë dhe institucionet për të parandaluar çdo financim me rrezik për interesat kombëtare”, tha Gjiknuri.
“Shqipëria ka një kuadër shumë të mirë ligjor. Ne si Parti Socialiste kemi mekanizmat tona për të parandaluar këto akte. Kemi një Komision të Reformës Zgjedhore që mund të adresojë dhe forcojë dispozitat në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore. Fokusi i bisedës ishte shqetësimi i aleatit tonë kryesor, SHBA-së, për përfshirjen e influencave të huaja në parti dhe organizata mediatike nëpërmjet formave indirekte të krijimit të opinionit publik”, shtoi Gjiknuri.