Merkato e janarit ka vetëm pak ditë që është mbyllur, por drejtuesit e klubeve të ndryshme europiane, vazhdojnë punën e tyre duke vëzhguar lojtarë të cilët do të tentohen të transferohen gjatë merkatos verore. Një prej këtyre është edhe Juventus që po planifikon një goditje të madhe, James Rodriguez.
Kolumbiani i cili është në pronësi të Realit të Madridit dhe që për momentin është transferuar në formën e huazimit tek Bayern Munich, duket se nuk ka ndërmend të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm në Bavari.
Ndërkohë, një deklaratë e Wilson Rodriguez që është edhe babai i James ka ndezur edhe më shumë shpresat e bardhezinjve.
Wilson ka deklaruar se ndaj djalit të tij kanë ardhur shumë oferta dhe një kalim tek Juventusi është një ide e mirë, kjo edhe për faktin se kolumbiani është mik i Cristiano Ronaldos.
Në fakt ky i fundit vetëm pak ditë më parë i bëri një ftesë publike James Rodriguez-it, për t’ju bashkuar Zonjës së Vjetër. Nga ana tjetër drejtuesit e klubit torinez kanë nisur bisedimet me Jorge Mendes që është gjithashtu menaxheri i kolumbianit prandaj dhe transferimi tek Juventus duke mëse i mundshëm.
Vetë James, në një bisedë me gazetën Bild theksoi se për momentin është i përqendruar te Bayern Munchen dhe e sheh veten aty. 27-vjeçari e bëri të qartë se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen dhe tha se marrëdhënia e tij me trajnerin Niko Kovac është normale.
“Ne jemi të dy profesionistë, është një marrëdhënie normale midis lojtarit dhe trajnerit“, tha kolumbiani.
I pyetur në lidhje aktivizimin e paktë të tij nën drejtimin e Kovac, James tha: “Jam i qetë dhe stërvitem fort”.
“Deri atëherë, ka edhe katër muaj. Në këtë moment unë mendoj vetëm për Bayern Munchen”, u përgjigj sulmuesi i majtë kur u pyet për të ardhmen e tij.