Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Londër përpara funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II që do të mbahet ditën e nesërme. Po ashtu, Kryeministrat e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re janë tashmë në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjithashtu, me ftesë të Mbretit Charles III, të Mbretërisë së Bashkuar dhe CommonWealth-it, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është nisur dje drejt Londrës për të marrë pjesë në Funeralin Shtetëror për Mbretëreshën Elizabeth II. I shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, Presidenti do të jetë pjesë e ceremonialit të homazheve, për nder të Mbretëreshës Elizabeth II.
Gjithashtu, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, do të jenë të ftuar në pritjen mbretërore, në të cilën krerët e shteteve nga e gjithë bota do të mirëpriten nga Mbreti Charles III, në Pallatin Buckingham.