Nuk ka dritë në fund të tunelit për Juventusin. Pas barazimit me Salernitanën dhe humbjes me Benfica në shtëpi, ekipi i Max Allegrit u mund në transfertë nga Monza, skuadër që provon për herë të parë shijen e fitores në Serinë A.
Danezi Gytkjaer ishte heroi i ndeshjes, me golin që e shënoi në minutën e 74-t të ndeshjes.
Juventus e luajti të gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak, pas kartoni të kuq që Angel Di Maria mori në fundin e pjesës së parë, për një goditje me bërryl ndaj kundërshtarit.
Në ndeshjet e tjera të drekës në Serinë A, Lazio fitoi 4-0 ndaj Cremonese, ndërsa Fiorentina 1-0 ndaj Verona.