Bota Biden: Ushtria amerikane do të mbrojë Tajvanin nëse sulmohet nga Kina. Reagon...

Biden: Ushtria amerikane do të mbrojë Tajvanin nëse sulmohet nga Kina. Reagon ashpër Pekini

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se ushtarët e SHBA-së do të mbrojnë Tajvanin nëse Kina e sulmon atë.

Duke iu përgjigjur një pyetje nëse forcat e SHBA-së do të mbrojnë ishullin, presidenti amerikan gjatë një interviste për programin “60 Minutes” të transmetuar mbrëmë në televizionin CBS u përgjigj: “Po, nëse ka një sulm të paprecedentë”.

Ndërkohë, në pyetjen se “çfarë duhet të dijë presidenti kinez Xi për qëndrimin tuaj ndaj Tajvanit”, Biden u shpreh: “Ne i qëndrojmë pas asaj që kemi nënshkruar shumë kohë më parë. Ne jemi të përkushtuar ndaj politikës së një Kine dhe nuk e inkurajojmë ose e çojmë Tajvanin drejt pavarësisë. Pavarësia është vendimi i vetë tajvanezëve”.

Po braktiset “paqartësia strategjike”?

Fjalët e Bidenit ishin deklarata më e qartë që binte ndesh me politikën e Uashingtonit për “paqartësi strategjike” deri më tani në çështjen e Tajvanit.

Uashingtoni, i cili miraton politikën “Një Kinë” dhe njeh administratën e Pekinit si qeverinë legjitime të të gjithë Kinës, në Aktin e Marrëdhënieve të Tajvanit të vitit 1979 u zotua të mbështeste ishullin për të pasur kapacitetin ushtarak për vetëmbrojtje dhe të kundërshtonte veprimet për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme status quo-në në rajon.

Megjithatë, këto angazhime nuk imponojnë një detyrim për SHBA-të për të mbrojtur drejtpërdrejt Tajvanin ushtarakisht. Kjo politikë është quajtur “paqartësi strategjike”, me Uashingtonin që përmbahet nga deklaratat zyrtare se ushtria e SHBA-së do të mbrojë në mënyrë aktive Tajvanin.

Pas intervistës, producentët e programit kanë përfshirë edhe një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, ku theksohet se politika e SHBA-së ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar dhe ripërsëriti retorikën e paqartësisë strategjike. “SHBA-të nuk mund të thonë zyrtarisht se ushtria amerikane do të mbrojë Tajvanin”.

Presidenti Joe Biden bëri një deklaratë të ngjashme gjatë vizitës së tij në Japoni në maj, kur një gazetar pyeti: “A do ta mbrojë SHBA ushtarakisht Tajvanin në rast të një pushtimi të Kinës?” ai u përgjigj, “Po, ky është angazhimi ynë”.

Kina i përgjigjet Biden me zemërim

Kina ka ashpërsuar gjuhën ndaj Uashingtonit pas deklaratave të presidentit Biden për çështjen e Tajvanit mbrëmjen e së dielës në një intervistë.

Përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Pekini ka protestuar ndaj deklaratave të Biden.

“Deklaratat e palës amerikane shkelin në mënyrë të rëndë parimin e “Një Kine” dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA, shkelin seriozisht angazhimin e rëndësishëm të SHBA-së për të mos mbështetur pavarësinë e Tajvanit dhe dërgojnë një sinjal të rremë për forcat separatiste pro-pavarësisë në ishull,” tha ai.

Vizita e Pelosit dhe rritja e tensioneve

Vizita e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan më 2-3 gusht rriti ndjeshëm tensionet. Përpara vizitës, zëdhënësit e Pekinit kishin paralajmëruar se nëse do të realizohet vizita e Pelosit, ata do të merrnin kundërmasa të forta, duke përfshirë “përgjigje ushtarake”.

Ndërsa Pelosi ishte kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve që vizitoi ishullin pas 25 vitesh, i cili është në konflikt sovraniteti me Kinën, vizita tërhoqi reagimin e Kinës, e cila e sheh ishullin si pjesë të territorit të saj.

Pas vizitës, ushtria kineze nisi stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit, ndërsa stërvitjet që zgjatën për 7 ditë krijuan një bllokadë de facto rreth ishullit. Gjatë stërvitjeve duke përdorur armë dhe municione të vërteta, raketat e drejtuara të lëshuara nga Kina ranë në ujërat afër Tajvanit.

Zëdhënësi i ushtrisë njoftoi se stërvitjet përfunduan më 10 gusht, por deklaroi se aktiviteti i patrullimit ushtarak në ngushticën e Tajvanit do të vazhdojë.