Guardia Civil e Spanjës në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n dhe karabinierët italianë kanë kryer një operacion të quajtur “Dragon Ball” dhe kanë shkatërruar dy banda të fuqishme që merreshin me trafikun e lëndëve narkotike. Sipas asaj që shkruajnë mediat, operacioni u nda në dy faza, një u krye më 13 Shtator dhe tjetri më 17 Shtator dhe vetëm në Spanjë morën pjesë rreth 400 agjentë. Objektiv i aksionit ishin dy organizata kriminale një shqiptare dhe një italiane.
Këto banda e shtrinin aktivitetin e tyre në Ibiza, Malaga, Barcelona dhe Tenerife. Mësohet se janë sekuestruar sasi të konsiderueshme substancash narkotike, armë zjarri, para ‘cash’ dhe dokumente që mund të vërtetojnë pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, dy organizatat kriminale kryesisht operonin në ishullin e Ibiza-s. Ata kishin futur në treg një sasi prej 94 500 dozash MDMA dhe kokainë, vlera e të cilave arrinte në 4.1 milionë Euro. Po ashtu janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë 22 milionë Euro.
Gjithsej në pranga shkuan 32 persona duke përfshirë shtetas italianë, shqiptarë dhe hungarezë. Si pasojë e kontrolleve në 42 prona të ndryshme, autoritetet gjetën 18 kilogramë metamfetaminë, 870mijë pilula ekstazi, 4.5 kilogramë kokainë, një plantacion kanabis me 600 rrënjë kanabis, substanca të tjera, si dhe mjete për peshimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike.
Në cash u sekuestruan 330 mijë Euro, u konfiskuan 23 makina dhe janë bllokuar 2 armë. Mes objekteve të bllokuara janë edhe ora luksoze Bulgari, Rolex dhe Cartier, bizhuteri, dokumente bankare, dokumente false identiteti, celularë, karta usb, tableta dhe pajisje të tjera elektronikë.
Mediat shkruajnë se organizata italiane ishte e lidhur me ‘Ndragheta-n. Anëtarët e saj shquhen për përdorimin e dhunës, metodat e torturës dhe vrasjet të kryera në Itali. Kjo organizatë, akuzohet për sekuestrimin e 1500 kilogramëve kokainë në provincën e Malaga-s, më 20 prill 2020. Ndërsa sa i përket organizatës shqiptare përveç përdorimit të dhunës, janë provuar edhe për përdorimin e armëve dhe trafikun e drogës në ishull.
Të dyja organizatat i investuan fitimet e tyre përkatëse në prona të paluajtshme në destinacionet kryesore turistike në Evropë, ndër të cilat spikati ishulli Ibiza.