Zv/kryeministrja, njëkohësisht dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizitoi këtë të hënë së bashku me ambasadoren Yuri Kim termocentralet lundruese në Vlorë. Balluku u shpreh se ato do të fillojnë prodhimin e energjisë elektrike prej 114 megavat orësh duke filluar nga fundi i këtij viti ose fillimi i vitit 2023. Po ashtu ajo u shpreh se nga këto dy anije do të sigurohet 15% e konsumit energjetik në Shqipëri.
“Është e rëndësishme të thuhet që sasia gjeneruese e këtyre dy anijeve që është një total vjetor prej 867 gigavat orësh, korrespondon në 15% të konsumit energjetik në Shqipëri. Është një sasi energjetike shumë e rëndësishme për sigurinë e energjetike të vendit, por jo vetëm. Është e rëndësishme për balancimin dhe mbrojtjen që mund t’i bëjmë flotave të kaskadës sonë gjatë stinës së verës”, tha Balluku.
Sipas Ballukut, sasia e emetimit është sipas kritereve të vendosura. Edhe sa i përket ndotjes akustike ajo tha se janë kontrolluar në detaje nivelet dhe nuk do të ketë shqetësim për zonën. Sipas ministres, energjia që do të blihet nga këto dy anije do të kushtojë më pak se gjysma e megavat orë që do të tregtohet në bursë përgjatë vitit 2023.
“Nga të gjitha të dhënat që kemi, megavat orë për vitin 2023 mesatarisht do të kushtojë 529 euro, gjatë 2023. Ndërkohë që kostoja nga këto njësi në varësi të kostos së naftës do të kushtojë nga 170 Euro, deri në 200 Euro, pra më pak se gjysma e megavat orë që do të tregtohet në bursë gjatë vitit 2023”, u shpreh Balluku.
Sipas saj, është rënë dakord që pas 2 vitesh Shqipëria të ketë të drejtën që t’i blejë këto anije nga “Excelerate Power”.
Ndërkohë ambasadorja Kim u shpreh e kënaqur që Shqipëria ka arritur t’i marrë këto dy anije pasi kërkesa ka qenë e madhe.
“Po lexoja që ata kanë 10 në të gjithë botën. Jam e kënaqur që Shqipëria ka mundësinë që të merrte dy të tjera. Të gjithë janë të dëshpëruar, dëshpërimisht në nevojë për makineri të tilla”, u shpreh Kim.
“Në fakt jemi me fat sepse që nga viti 2020 kemi filluar të flasim për energjinë. Hapat që ishin hedhur asokohe janë shumë të rëndësishme. Po ndaja me ministren që nuk duken të bukura, por rëndësi ka që funksionojnë. Nëse këto funksionojnë si duhet do të prodhojnë të paktën 114 megavat. Kjo të paktën mund të përmbushë nevojat 12% deri në 15% për energji elektrike të vendit. Në terma mesatare do të thotë 150 deri në 200 mijë shtëpi të cilat do të funksionojnë për shkak të këtyre anijeve që do të prodhojnë energji elektrike”, u shpreh Kim më tej.
Ndërkohë, ministrja Balluku sqaroi se për të marrë këto anije është konkurruar me Gjermaninë.
“Ambasadore kemi konkurruar deri në moment të fundit me Gjermaninë. Prandaj e përmenda. Kemi qenë me zemër në dorë, por Excelerate vendosi që të humbte para fitim dhe t’i sillte Shqipëri duke pasur parasysh që ne kemi një partneritet i cili do të shtrihet ndër vite me TEC e Vlorës, me linjën e transmetimit me gaz të lëngshëm nga Vlora për në exit point e TAP dhe të gjitha planet e tjera që kemi. Kështu që kemi qenë në garë me Gjermaninë, nëse do vinin këtu apo do shkonin në Berlin. Ajo që thoni ju është e vërtetë. Excelerate kishte 10 anije, të gjitha të zënë dhe këto ishin dy anijet e fundit që ia dolëm”, është shprehur ministrja.