Aktualitet Skemë mashtrimi me TVSH me dëm 3 milionë euro, 13 subjekte nën...

Skemë mashtrimi me TVSH me dëm 3 milionë euro, 13 subjekte nën hetim dhe 13 të arrestuar

Prokuroria e Tiranës ka hetuar 13 subjekte pasi dyshohet se përmes një skemë mashtrimi me TVSH-në, i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerën mbi 3 milionë Euro.

Pas një pune disamujore hetimi nga ana e Prokurorisë, Gjykata ka caktuar masë sigurimi “arrest në burg” ndaj 13 personave si dhe masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj 4 të tjerëve, të lidhur ngushtë me subjektet fiktive.

Referuar njoftimit të Prokurorisë, dyshohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet proceduriale për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.

Prokuroria Tiranë bën të ditur se nga analizimi dhe studimi i të dhënave të shoqërive objekt hetimi, rezulton se kanë funksionuar si furnizuese, kanë lëshuar fatura fiktive duke mos kryer asnjë blerje dhe duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor. Këto fatura fiktive janë injektuar në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fusha të ndryshme, në vlerën totale 1,257,082,590 lekë, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar në TVSH dhe TF, afërsisht 300,000,000 lekë, këto të fundit me kontabilizimin e kësaj vlere kanë ulur pagesën e TVSH mujore, si dhe duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore kanë ulur normën e TF.

Këto subjekte në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar elementë të veprës penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe “Bashkëpunimit”, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25 e Kodit Penal.

Nga ky aktivitet kriminal, shtetasit nëpërmjet subjekeve fiktive kanë mundur të përfitojnë nga mospagimi i detyrimeve tatimore dhe përfitimi i tyre në mënyrë të kundraligjshme, duke shkaktuar një dëm monetar dhe financiar shtetit në vlerën mbi 3 milionë Euro.