Stuhitë me bubullima dhe rrufe janë të frikshme, por mund të jenë edhe të rrezikshme, madje edhe kur jeni në shtëpi; duke bërë dush, jeni në vaskë apo edhe duke larë enët.
Meqenëse rrufeja mund të ‘udhëtojë’ përmes pajisjeve hidraulike, “është më mirë të shmangni çdo gjë që ka lidhje me ujin gjatë një stuhie, shkruan CNN.
“Mos bëni dush, mos lani enët ose duart”, theksoi Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
“Rreziku i rrufesë që ‘udhëton’ nëpër pajisje hidraulike mund të jetë më i vogël me tuba plastikë sesa me tuba metalikë. Sidoqoftë, është më mirë të shmangni çdo kontakt me hidraulikun dhe ujin e rrjedhshëm gjatë një stuhie me rrufe për të zvogëluar rrezikun për t’u goditur”, shtoi CDC.
Ky nuk është i vetmi rrezik kur je brenda. Qëndroni larg verandave dhe ballkoneve, mos iu afroni dritareve dhe dyerve dhe “mos u shtrini në dysheme betoni ose mbështetuni pas mureve prej betoni”, tha agjencia.
Gjithashtu, “mos përdorni asgjë të lidhur me një prizë elektrike, të tilla si kompjuterë ose pajisje të tjera elektronike”, tha CDC. “Qëndroni larg telefonave me kabllo. Telefonat celularë dhe telefonat pa tela janë të sigurta, nëse nuk janë të lidhur me një prizë përmes një karikuesi”.