Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për shtyp paraditen e së premtes, deklaroi se tërheqja e qeverisë nga vendosja e fashës 800 KW tregon se në Shqipëri “nuk ka institucione të pavarura”.
“Ky vendim i marrë, i shpallur dhe i zhbërë në mënyrat më të turpshme, tregon se nuk ekziston shteti i së drejtës dhe nuk ka institucione të pavarura që mbrojnë interesin e qytetarit dhe që bëjnë detyrën. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë, me të dyja vendimet. Është shpallur sot mosekzistenca e ERE-s si institucion i pavarur. Vendimi që mori ERE ishte tërësisht i pabazuar në radhë të parë, pasi u bazua vetëm në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it. Ndërkohë, zhbërja e vendimit duhej të merrej sërish nga ERE”, deklaroi Meta.
“Kjo tregon se në krye të qeverisë kemi një kryeministër provokator ndaj qytetarit dhe taksapaguesit. Në rast se ata nuk reagojnë, në rast se opozita nuk përballet me këto manovra hajdutërie, ai i bën 8-fish dëmet”, shtoi kreu i Partisë së Lirisë.