Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se vendimi për aneksimin e 4 rajoneve të Ukrainës është marrë nga banorët e zonave, të cilët morën pjesë në referendum.
“Rezultatet dihen, dihen mirë. Jam i sigurt se Asambleja Federale do të mbështesë katër subjektet e reja të Federatës Ruse sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, u shpreh sot Putin, teksa u duartrokit nga anëtarë të qeverisë së tij.
Sipas zyrtarëve rusë, katër rajonet, të cilat përfaqësojnë rreth 15% të Ukrainës, votuan me shumicë për t’u bashkuar me Rusinë.
Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.
Më tej, Putin i konsideroi heronj ushtarët rusë të rënë në luftë: “Vdiqën duke luftuar për tokën e tyre”.
“Perëndimi i fiksuar me ne”
Në fjalimin e tij, Putin iu drejtua edhe ushtarëve dhe familjarëve të tyre: “Dua t’i bëj një apel, pasi ata duhet ta kuptojnë se për çfarë po luftojmë ne. Perëndimi po përpiqet të përçajë Rusinë duke mbështetur Ukrainën në këtë luftë. Perëndimi po mundohet të gjunjëzojë Rusinë me valutat e tij të reja dhe me zhvillimet teknologjike. Nuk e durojnë dot faktin që një shtet kaq i pasur si ne, ekziston. Kemi përballë Perëndimin e pangopur, që kërkon ta kthejë Rusinë në një koloni të vetën. Prandaj po bën një luftë hibride kundër nesh. Nuk duan që të jemi një shoqëri e lirë, por duan që të na shohin si një turmë skllevërish. Ata nuk kanë nevojë për Rusinë, por ne kemi nevojë për Rusinë”.