Sport “Haaland është një përzierje e Ronaldos dhe Ibrahimovic”

“Haaland është një përzierje e Ronaldos dhe Ibrahimovic”

Sulmuesi i Manchester City, Erling Haaland është një përzierje e Cristiano Ronaldo dhe Zlatan Ibrahimovic”, – thotë Peter Schmeichel. Ylli norvegjez ka shkëlqyer në “Etihad Stadium” këtë sezon, i pari për të në Premier League, teksa dje realizoi një “hat-trick” historik në derbin e fituar 6-3 ndaj Manchester United.

Kjo tripletë e ngjiti atë në kuotën e 17 gola për sezonin 2022-2023. Nga këto, 14 prej tyre janë shënuar në Premier League.

Rekordet po rriten rreth 22-vjeçarit të talentuar, ndërsa ish-portieri i United dhe City, Schmeichel, pretendon se Haaland ka shkrirë brenda vetes cilësitë e dy prej futbollistëve më të mirë të 15 viteve të fundit.

Schmeichel i tha “BBC Sport”, pasi e pa norvegjezin të merrte një tjetër top në shtëpi (sikurse ndodh me cilindo që shënon “hat trick”, falë një ecurie të jashtëzakonshme te City: “Pjesa më e madhe e një sulmuesi të mirë është durimi. Kam luajtur kundër disa prej sulmuesve më të mirë dhe kur ata mungojnë, ju me të vërtetë duhet të përqendroheni te Cristiano Ronaldo, Filippo Inzaghi.

Kur shikon sot Haaland, brenda tij konstaton lojtarë të ndryshëm. Me golat që realizon është i ngjashëm me Zlatan Ibrahimovic, edhe me Cristiano Ronaldon gjithashtu. Ju i shihni të dy këta sulmues të nivelit të lartë në një futbollist të vetëm, konkretisht te Haaland. Kjo është arsyeja pse ai është kaq i rrezikshëm”.

Haaland është bërë lojtari i parë në historinë e Premier League që regjistron “hat-trick” në tri ndeshje radhazi në shtëpi, ndërsa tashmë ka regjistruar po aq tripleta në ligën angleze sa Ronaldo, Jamie Vardy dhe Didier Drogba, pavarësisht se ka luajtur vetëm tetë ndeshje.