Lidhur me vendimin e qeverisë për anulimin e hyrjes në fuqi të vendimit që parashikonte që duke nisur nga 1 Tetori e gjithë sasia e energjisë mbi fashën 800 kilovat/orë të paguhej me çmimin 42 Lekë për kilovat/orë, ka folur në Kuvend Zv/kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, Balluku i është drejtuar opozitës duke iu thënë se i vjen keq që ata janë mërzitur pasi sipas Ballukut, atyre iu janë prishur planet. Balluku i është drejtuar sërish opozitës duke iu përgjigjur akuzave se qeveria nuk është vënë në presion nga ato për anulimin e këtij vendimi.
Zv/kryeministrja Balluku ka thënë se shkak për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për të gjithë ato abonentë që konsumojnë mbi 800 kWh ka qenë përmirësimi i kushteve hidrike si dhe sensibilizimi i qytetarëve për kursim, situatë për të cilën shpreson që të jetë e njëjtë edhe në muajin Nëntor.
Belinda Balluku: U bënë disa ditë që jeni mërzitur se nuk u aplikua faza 800 kWh. Ju sigurojmë se nuk kemi pasur asnjë presion nga ju, nuk vihemi nën presion nga ju. Si për shkak të motit që është më i stabilizuar, por edhe nga ana tjetër se qytetarët janë më të sensibilizuar ndaj kërkesës tonë për uljen e konsumit. Përmirësimi i kushteve hidrike, na bëri që të rishikojmë fashën për këtë muaj. ERE janë burra dhe gra të nderuar, keni një javë që i bëni copë pa asnjë të drejtë. Detyrimisht, ERE e ka bërë punën siç duhet. Na vjen shumë keq që jeni mërzitur, ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë qytetarët. Shpresojmë që gjatë muajit Nëntor të kemi të njëjtën situatë dhe padyshim që ne do të vazhdojmë mburojën. Na vjen shumë keq që ju prishëm planet.