Bota Shefi i CIA-s: Me shpatullat pas murit Putin bëhet i paparashikueshëm

Shefi i CIA-s: Me shpatullat pas murit Putin bëhet i paparashikueshëm

“Presidenti rus Vladimir Putin mund të bëhet shumë i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm nëse vihet me shpatullat pas murit”. Kështu ka deklaruar në një intervistë për CBS, drejtori aktual i CIA-s, William Burns.

“Putin duhet të jetë i shqetësuar jo vetëm për atë që po ndodh në fushën e betejës në Ukrainë, por edhe për atë që po ndodh brenda në Rusi dhe në nivel ndërkombëtar”, ka deklaruar Burns.

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës ka theksuar se, pavarësisht premtimit të bërë nga Kina në shkurt për një “miqësi pa kufij”, Pekini deri tani ka refuzuar të ofrojë mbështetje ushtarake.

“Putin tani ndihet me shpatullat pas murit dhe mund të jetë shumë i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm”, ka thënë Burns për CBS.

Ndërkohë, britanikja “The Times” raporton se kreu i Kremlinit po përgatit një stërvitje bërthamore në kufi me Ukrainën.

Edhe pse nuk ka një konfirmim, e përditshmja londineze shkruan se Putin është gati të përdorë armët e shkatërrimit në masë përmes një testi bërthamor.

“Kremlini po shfaq mundësinë e një përshkallëzimi të ndjeshëm teksa ushtria e tij po humbet terren në fushën e betejës”, ka shkruar gazeta që citon burime konfidenciale.

Ndërkohë, burime të tjera flasin për një tren ushtarak rus të divizionit bërthamor, që është nisur tashmë në drejtim të Ukrainës.