Bota Thellohen problemet në ushtrinë ruse, ndërsa Ukraina vazhdon kundërofensivën

Thellohen problemet në ushtrinë ruse, ndërsa Ukraina vazhdon kundërofensivën

Megjithë shpalljen e aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës në një përshkallëzim të mprehtë të konfliktit, ushtria ruse vazhdon të pësojë disfata që po nxjerrin në pah problemet e saj të thella në fushën e betejës dhe kanë krijuar përplasje në qeverinë ruse.

Humbjet kanë dëmtuar rëndë imazhin e ushtrisë ruse dhe kanë shtuar tensionet rreth një mobilizimi ushtarak të keqplanifikuar. Ato gjithashtu kanë nxitur përplasje në qarqet e brendshme të Kremlinit dhe e kanë vënë Presidentin rus Vladimir Putin në një pozitë gjithnjë e më të vështirë.

U hedhim një vështrim humbjeve të fundit ruse, disa prej arsyeve pas tyre dhe pasojave të mundshme.

NJË SËRË DËSHTIMESH NË VERILINDJE DHE JUG

Duke u mbështetur në armët e dërguara nga perëndimi, Ukraina ka vazhduar përparimin e filluar muajin e kaluar në rajonin verilindor të Kharkivit, duke ushtruar presion më të madh në zonat e pushtuara dhe duke detyruar trupat ruse të tërhiqen nga qyteti i Limanit, një qendër e rëndësishme logjistike.

Ushtria ukrainase ka nisur gjithashtu një kundërofensivë të gjerë në jug, duke rimarrë kontrollin e një numri fshatrash në bregun perëndimor të lumit Dnieper dhe duke përparuar drejt qytetit të Khersonit.

Përparimet në rajonin e Khersonit pasuan sulme të vazhdueshme në dy vendkalimet kryesore mbi Dnieper që i bënë ato të papërdorshme dhe i detyruan trupat ruse në bregun perëndimor të Dnieperit të përdorin vetëm varka, të cilat gjithashtu janë goditur vazhdimisht nga ukrainasit.

Phillips P. O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin St Andrews, parashikon më shumë dështime ruse në Kherson, duke vënë në dukje se “është e vështirë të stabilizosh një vijë kalimi kur ke logjistikë të ezauruar, trupa të rraskapitura dhe një kundërshtar shumë, shumë më të zgjuar.”

Të bllokuara në brigjet e lumit të gjerë dhe duke vuajtur mungesa të mëdha në furnizim, trupat ruse përballen me një disfatë që mund të krijojë terrenin për një përpjekje të mundshme ukrainase për të rimarrë kontrollin e Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014.

MUNGESAT USHTARAKE DHE PROBLEME NË KOMANDË

Gazetarët dhe blogerët ushtarakë pranë trupave ruse në Ukrainë kanë paraqitur një tablo të zymtë të një force të pajisur dhe organizuar keq, nën një komandë të paaftë.

Ndërsa lufta ka hyrë në muajin e tetë, ushtria ruse po vuan nga një mungesë e mprehtë personeli, mungesë bashkërendimi midis njësive dhe linja të paqëndrueshme furnizimi.

Shumë njësi ruse kanë gjithashtu moral të ulët dhe kanë rënë në dëshpërim, gjë që bie në kontrast të thellë me forcat e mirë-motivuara të Ukrainës.

Ndryshe nga ushtria ukrainase, e cila mbështetet tek të dhënat e zbulimit të ofruara nga SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s për të përcaktuar dhe goditur objektiva, ushtria ruse ka mangësi të mëdha.

Kur zbulimi rus dikton një objektiv ukrainas, ushtria ndërmerr një proces të gjatë për të siguruar autorizim për ta goditur atë, i cili shpesh zvarritet derisa objektivi largohet.

Korrespondentët rusë të luftës vunë veçanërisht në dukje mungesën e dronëve dhe thanë se dronët e dërguar nga Irani nuk janë përdorur me efektivitet maksimal për shkak të pasaktësive në përzgjedhjen e objektivave.

KREMLINI LËSHON THIRRJE PËR TRUPA TË TJERA, ANEKSON TERRITORE UKRAINASE

Presidenti rus Vladimir Putin iu përgjigj kundërofensivës ukrainase duke urdhëruar një mobilizim të pjesshëm ushtarak, i cili synon të grumbullojë të paktën 300,000 rezervistë për të konsoliduar forcat përgjatë vijës së frontit 1,000 kilometra në Ukrainë.

Në fillimin e agresionit, Ukraina shpalli një mobilizim gjithëpërfshirës, me synimin për të formuar një ushtri prej 1 milion trupash. Rusia deri në atë moment ishte përpjekur të fitonte luftën me një kontigjent ushtarësh vullnetarë në tkurrje. SHBA-ja vlerësoi se forca fillestare ishte deri në 200,000 trupa dhe sipas disa vlerësimeve perëndimore mes forcave ruse ka pasur deri në 80,000 të vdekur, të plagosur dhe të kapur.

Ndërsa qarqet e vijës së ashpër në Moskë e mirëpritën mobilizimin, qindra burra dhe djem rusë u larguan jashtë vendit për të shmangur rekrutimin dhe protestat u ndezën në të gjithë vendin, duke krijuar sfida të reja për Kremlinin.

Rekrutët e rinj postuan pamje që tregojnë se ata detyrohen të flenë në dysheme apo edhe në qiell të hapur. Disa thanë se iu ishin dhënë armë të ndryshkura dhe se u ishte thënë të blinin vetë komplete mjekësore dhe pajisje të tjera bazë. Në një pohim të heshtur të problemeve me furnizimin, presidenti Putini shkarkoi një zëvendësministër të mbrojtjes, përgjegjës për logjistikën ushtarake.

Mobilizimi nuk ofron zgjidhje të shpejtë për problemet ushtarake të Rusisë. Do të duhen muaj që rekrutët e rinj të stërviten dhe të formojnë njësi të gatshme për betejë.

Presidenti rus më pas e përshkallëzoi gjendjen duke aneksuar papritur katër rajone të Ukrainës dhe duke shprehur gatishmërinë për të përdorur “të gjitha mjetet në dispozicion” për t’i mbrojtur ato, një referencë e hapur për arsenalin bërthamor të Rusisë.

MOSMARRËVESHJE NË RANGJET MË TË LARTA RUSE

Në një shenjë të paprecedentë të mosmarrëveshjeve të brendshme në nivelet më të larta të qeverisë, udhëheqësi rajonal i Çeçenisë i mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, ka kritikuar ashpër krerët e ushtrisë, duke i akuzuar ata për paaftësi dhe nepotizëm.

Zoti Kadyrov fajësoi kolonel gjeneralin Alexander Lapin se kishte dështuar të siguronte furnizime dhe përforcime për trupat e tij, gjë që solli si rezultat tërheqjen e tyre nga Limani. Ai deklaroi se gjenerali meriton t’i hiqet grada dhe të dërgohet në vijën e frontit si ushtar i thjeshtë për të “larë turpin e tij me gjakun e tij”.

Udhëheqësi çeçen akuzoi gjithashtu drejtpërdrejt oficerin më të lartë ushtarak rus, gjeneralin Valery Gerasimov, se kishte fshehur gabimet e kolonel gjeneralit Lapin – një sulm i ashpër që nxiti spekulimet se udhëheqësi çeçen mund të kishte krijuar një aleancë me anëtarë të tjerë të elitës ruse kundër udhëheqjes më të lartë ushtarake.

Në një deklaratë padoreza, zoti Kadyrov i bëri gjithashtu thirrje Kremlinit të konsideronte përdorimin e armëve bërthamore taktike kundër Ukrainës për të ndryshuar rrjedhën e luftës, një thirrje që dukej se pasqyronte popullaritetin në rritje të kësaj ideje brenda krahut të ashpër të Kremlinit.

Në një shfaqje të mbështetjes së vazhdueshme për udhëheqësin çeçen, presidenti Putin i dha atij gradën gjeneral kolonel për të shënuar ditëlindjen e tij, një veprim që është e sigurt që ka zemëruar komandantët e lartë. Dhe ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e cilësoi deklaratën e Kadyrovit si tepër emocionale, ai vlerësoi fuqishëm rolin e udhëheqësit çeçen në luftime dhe trimërinë e trupave të tij.

Në një shenjë tjetër të intensifikimit të mospajtimeve në rangjet e larta, Yevgeny Prigozhin, një biznesmen milioner i njohur si “kuzhinieri i Putinit”, sulmoi guvernatorin e Shën Petersburgut, duke e akuzuar se dështimi i tij për të ofruar ndihmë për kompaninë private të sigurisë Wagner të milionerit përbën mbështetje për Ukrainën.

Disa pjesëtarë të tjerë të elitës ruse ofruan mbështetje për zotin Kadyrov dhe zotin Prigozhin, të cilët kanë shërbyer gjithnjë e më shumë si drejtues të qarqeve të vijës së ashpër në Moskë.

Gjenerali në pension Andrei Gurulev, një anëtar i lartë i dhomës së ulët të parlamentit rus, mbështeti fuqimisht udhëheqësin çeçen, duke thënë se disfata ruse në Liman i kishte rrënjët në prirjen e fortë mes komandantëve për t’i raportuar presidentit Putin vetëm lajme të mira.

“Është tërësisht një problem i krijuar nga gënjeshtra dhe raporte të rreme për rezultate pozitive”, tha ai./AP/VOA