Bordi i Transparencës ka vendosur sot që të rritë ndjeshëm çmimin e naftës pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit.
Bordi e ka çuar çmimin me pakicë të naftës në 245 lekë, me një rritje rekord prej 22 lekësh që nga fillimi i funksionimit të tij në mars të këtij viti. Në vendimin e fundit të datës 1 tetor, nafta ishte ulur në 223 lekë për litër.
Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit.
Gazi do të tregtohet me 77 lekë për litër, nga 78 lekë që ishte deri tani.
Vendimi hyn në fuqi në orën 18.00 të ditës së sotme.
Pak ditë më parë OPEC + ra dakord për shkurtimet e tij më të thella të prodhimit që nga pandemia COVID 2020, pavarësisht se tregu nuk ishte shumë i favorshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët ishin kundër këtij vendimi, çka çoi në rritje të shpejtë të naftës në bursa.
Ndërkohë, ndërhyrjet e Bordit përmes fiksimit të çmimeve tavan të pakicës që nga fillimi i marsit nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e çmimeve, që po i afrohet sërish niveleve maksimale prej 260 lekë për litër që arritën në vend në mars. Përkundrazi operatorët pohojnë se Bordi po i pengon kompanitë të jenë fleksibël me blerjet që do u mundësonte atyre të manovronin më çmimet.