Autoritetet spanjolle kanë shpartalluar një bandë shqiptarësh që operonte kryesisht në Spanjë dhe dërgonte emigrantë, kryesisht po shqiptarë, nga vendi iberik drejt Anglisë. Lajmin e konfirmoi NCA, Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata përdornin qytetet e veriut të Spanjës, kryesisht Bilbaon dhe Santanderin, për të futur shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar përmes trageteve të linjave drejt disa qyteteve, si Portsmuthi, Sauthempton dhe Liverpul.
Sipas autoriteteve britanike çdo emigrant paguante deri në 15 mijë euro për të mbërritur në ishull.
“Trafikantët vënë në rrezik jetët e njerëzve, prandaj shpartallimi i rrjeteve të tilla kriminale është prioritet për NCA dhe partnerët tanë”, tha Steve Reynolds, zyrtar i agjencisë. “Në këtë rast kemi të bëjmë me një grup që trafikonte emigrantë të fshehur nëpër kamionë që mbërrijnë në Angli me tragete. Rreziku i këtij udhëtimi i merrni me mend vetë”.
Emigrantët besohet se niseshin nga Shqipëria drejt Spanjës, ndërsa trafikantët u siguronin vend për të qëndruar deri në nisjen e udhëtimit për në Angli. Sipas NCA, rreth 50 vetë të mbërritur në ishull besohet se janë trafikuar nga kjo bandë.
Gjatë javës së kaluar janë arrestuar 7 persona, 2 në Madrid dhe 5 në krahinën Baske. Ata raportohet se ishin të gjithë shqiptarë, por duke qenë se janë arrestuar në Spanjë, do të gjykohen aty. Gjatë operacioneve të policisë u sekuestruan telefona, kompjuterë, karta bankare, fatura dhe pasaporta të kombësive të ndryshme.
Shqiptarët përbëjnë numrin më të lartë të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Angli, sipas shifrave zyrtare. Javën e kaluar, ministrja e brendshme, Suella Braverman, tha gjatë një takimi të Partisë Konservatore: “Shumë prej shqiptarëve pretendojnë se janë pre e skllavërisë moderne, por ato janë gënjeshtra”.