Aktualitet Dëshmia e Endrit Dokles në polici: Kam shumë punë, nuk e njoh...

Dëshmia e Endrit Dokles në polici: Kam shumë punë, nuk e njoh Ervis Martinaj

“Njoh shumë njerëz, por këtë emër e kam dëgjuar së fundmi në media. Megjithatë nuk kam shumë kohë të shoh televizor, po se çka dalë emri i tij. Nuk e kam idenë as çfarë ka punuar dhe as se me çfarë merrej. Unë nuk kam pasur ndonjëherë konflikt me të”.

Kjo është pjesë e dëshmisë dhe deklaratës së Endrit Dokles kur u pyet në policinë e Lezhës nga një grup hetimor që prej muajsh po heton për rrëmbimin e Ervis Martinaj, për të cilin me gjithë përpjekjet dhe një të arrestuar, ende nuk ka asnjë provë dhe asnjë gjurmë. Por Dokle, i cili njihet si një ndër ish-protagonistët e grupit të Durrësit po kthehet shpesh në polici. Vizita e fundit e tij e detyruar nga një kontroll blic policor, u krye gjatë të shtunës. Kësaj radhe në Policinë e Tiranës. I riu që pret Gjykatën e Apelit mbasi fitoi lirinë dhe la burgun nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, u shoqërua së bashku me Gentian Reçin, dhe Fatmir Muratin. Burimet e Gazetës Si pranojnë ekskluzivisht se shoqërimi ishte thjesht procedurë, mbasi njëri ndër këta shtetas dhe konkretisht Murati duhej marrë në pyetje për masakrën e Fushë-Krujës dhe emri i tij gjendej në këto kartela. Së bashku me ta gjendej edhe kunati i Endrit Dokles, Gentian Reçi, i cili është djali i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, i vrarë në zonën e Lezhës dhe për të cilin ka patur disa pista për eliminimin nga anëtarë të grupit të Ervis Martinaj.

Por policia nuk e konfirmoi asnjëherë me prova këtë alibi dhe po ashtu as prokuroria që mban në sirtar një sërë krimesh të pazbardhura në këtë perimetër. Midis tyre vrasjen e pazbardhur të Brilant Martinaj dhe dy të tjerëve, lidhje të afërta të Ervis Martinaj, por edhe krime të tjera të dyfishta që u kryen midis Laçit dhe Lezhës.

Policia e Tiranës pranon për Gazetën Si se nuk e ka marrë në pyetje Doklen dhe as kunatin e tij, por thjesht ka kryer procedurën e shoqërimit. Megjithatë mbetet e dyshimtë dërgimi për herë të dytë në komisariat i një personazhi si Dokle.

Ndonëse burimet e Gazetës Si shtojnë se herën e parë Endrit Dokle dikur një i dënuar i përjetshëm që përfitoi nga cirku i drejtësisë lirinë, ju përgjigj ftesës për t’u pyetur nga policia e Lezhës. Bëhet me dije nga prokuroria lokale e këtij qyteti se ai u shoqërua nga një avokat dhe përgjatë minutave që dha deklaratën për dosjen Martinaj, ai këmbënguli se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për të zhdukurin, pavarësisht se ai është një emër i lakuar i botës së krimit.

Burimet i thanë Gazetës Si se kanë pyetur edhe kunatin e tij Gentian Reçi, i cili humbi të atin në një atentat të pazbardhur. Tre protagonistë të botës së krimit të Fushë Krujë dhe Nikël janë marrë po ashtu në pyetje, ndërkohë që i është dërguar ftesë për t’u pyetur edhe Ramazan Rrajës, nipi i një deputeti ,që po ashtu konsiderohet si problematik me ligjin. Por i riu nuk ka shkuar ende në polici dhe siç bën me dije policia kriminale nuk e ka gjetur ende për të marrë versionin e tij.

“Është për t’u habitur tha një ekspert i kriminalistikës metodika që po ndjekin hetuesit duke pyetur personazhe të krimit për një personazh të krimit. Duket sikur hetimi po qëndron në nivelin e thashethemeve, ndonëse në të vërtetë ata po përdorin të gjitha metodat si përgjim dhe vëzhgim”.

Burimet konfirmojnë se do të pyeten të gjithë njerëzit e botës së krimit në Shqipëri që konsiderohen si emra të lakuar.

Ndërkohë nga ana tjetër arma më e fortë e kësaj çështjeje, përpos teknikës për të shoqëruar vazhdimisht në ambiente policore emrat e krimit, është dëshmia e Jeton Lamit, që u la nën arrest me burg nga Gjykata e Apelit Tiranë. Ai është midis njerëzve që ka informacione dhe për njerëz të policisë të blerë nga Martinaj dhe kjo do ta ndihmonte shumë prokurorinë të niste një nga pastrimet më domethënëse të zyrtarëve të korruptuar dhe të implikuar nga krimi organizuar./Gazeta Si