Është një perceptim i njohur gjerësisht, e në të njëjtën kohë shumë pak i kuptueshëm: Mendimet më të mira vijnë në dush.
Por cila është arsyeja që mendimet interesante vijnë pikërisht në këtë ambient të mbushur me avull? Prej vitesh tashmë shkencëtarët kanë debatuar për të ashtuquajturin “efekti i dushit” dhe përse ndodh ai. Tani, dy eksperimente të reja duket se kanë ndihmuar për të qartësuar disa gjetje.
Eksperimentet e fundit të drejtuara nga Zac Irving, i cili studion dhe mëson filozofinë e shkencës konjitive në Universitetin e Virxhinia sugjerojnë se përqendrimi i madh gjatë kryerjes së një detyre mund të jetë armiku i krijimtarisë.
Në vend të të menduarit mbi një problem derisa të gjeni zgjidhje, të dhënat sugjerojnë se është më mirë nëse bëni pushim dhe bëni diçka që kërkon më pak mund e përqendrim, siç është edhe dushi.
Ky ambient mund t’i lejojë mendjes që të jetë e çlirët, pa një qëllim apo drejtim të caktuar. Teksa mendimet vërtiten nëpër mendje, shkencëtarët mendojnë se njerëzit kanë më shumë gjasa që të bëjnë një gjetje inteligjente.
Një detyrë totalisht e mërzitshme, nga ana tjetër, duket se nuk i detyron mendimet mjaftueshëm sa për të gjeneruar ide krijuese. Ka më shumë gjasa që në këtë rast të shpërqendroheni, apo të vijoni të mendoni për problemin origjinal.
“Ta zëmë se keni ngecur në një problem”, shpjegon Irving. “Çfarë duhet të bëni? Gjëja më e mirë është që të bëni diçka që ju mban të zënë, si të bërit një shëtitje, merruni me bahçen, ose bëni një dush”.
Siç shkruan Science Alert, historikisht eksperimentet për efektin e dushit kanë prodhuar të dhëna të paqëndrueshme.
Do të duhen studime të tjera për të eksploruar “pse-në” e efektit të dushit, por këto të dhëna të reja japin një ide më të mirë sesi procese si dushi, mund të na ndihmojnë për të gjeneruar mendime krijuese në botën reale.