Ndryshimi në krye të operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë, me emërimin e gjeneralit Sergey Surovikin, ka sjellë pasojat e para, dhe janë tragjike për Ukrainën.
Moska dëshironte një përgjigje të fortë pas sulmit në urën e Krimesë, dhe sot kambanat e alarmit janë dëgjuar kudo në Ukrainë. Nga Kharvivi në Zhaporizhizhia, por edhe në qytete që nuk ishin prekur prej muajsh si Lviv dhe vetë kryeqyteti Kiev, raportohen bombardime që kanë shkaktuar viktima, ndonëse ende nuk ka një bilanc zyrtar.
Disa burime flasin gjithsesi për të paktën 8 viktima, vetëm në kryeqytet, ku kryebashkiaku Vladimir Klitshcko ka pranuar se kanë goditur struktura të rëndësishme.
Sipas mediave ukrainase, raketat ruse kanë goditur qendrën e kryeqytetit ukrainas, me popullsinë që është strehuar nën tokë, në stacionet e metrosë.
Janë goditur godina private edhe shtetërore, madje flitet se goditjet kanë përfshirë edhe disa nga zyrat e presidentit Volodymyr Zelensky.
Gjatë natës, forcat ruse kanë bombarduar qytete të ndryshme si Zhaporizhzhia, ku ndodhet një central bërthamor nën kontrollin rus.
Situatë e tensionuar edhe në Lviv, jo larg nga kufiri polak, ku i gjithë qyteti ndodhet pa drita pas bombardimeve. Është goditur edhe qyteti i Ivano-Frankivsk, në pjesën perëndimore, ku ndodhet një central i rëndësishëm elektrik, që furnizon me elektricitet një pjesë të vendit.
I akuzuar në të kaluarën për brutalitetin e tij, veçanërisht në Siri, gjenerali Sirovkin ka paralajmëruar sulmet me një fjali të qartë: “Për armiqtë e Rusisë, mëngjesi nuk nis me kafe”.