Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se gjasat që ekonomia shqiptare të kalojë në recesion në vitin 2023 duken shumë të ulëta.
Në një deklaratë për mediat, Ibrahimaj u shpreh se qeveria do të jetë vigjilente dhe e përgatitur për çdo skenar.
Sipas saj, inflacioni në ekonominë vendase është më i ulët se vendet e rajonit dhe mesatarja e BE-së.
“Mendojmë se gjasat për një recesion të ekonomisë sonë gjatë vitit të ardhshëm, aktualisht duken shumë të ulëta. Edhe nëse një pjesë e ekonomive të BE-së apo edhe më gjerë do të hynin në një recesion të plotë, ne vijojmë të mbajmë këtë parashikim.
Megjithatë, ne do të jemi vigjilentë për çdo skenar dhe kemi plane alternative përshtatjeje, në çdo rast të përballjes me skenarë pesimistë. Inflacioni në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera të rajonit apo edhe me mesataren e BE-së, ka qenë ndjeshëm më i ulët”, theksoi ajo.
Ibrahimaj deklaroi më tej se lufta në Ukrainë ka sjellë një ndikim negativ në zhvillimet e fundit ekonomike, në lidhje edhe me furnizimet me energji.
Ibrahimaj tha se rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte në nivelin 4.2%.
Ajo nënvizoi se rritja ekonomike në vitin 2022 parashikohet të jetë në nivelin 3.7%.
“Sa i përket zhvillimeve të fundit ekonomike, goditja globale nga kahu i ofertës për furnizimin me energji dhe mallrat e tjera bazë, shkaktuar nga lufta në Ukrainë, kanë pasur dhe do të ketë një ndikim negativ. Megjithatë, deri tani ekonomia e ka përballuar relativisht mirë këtë goditje.
Rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë, në nivelin 4.2%, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe kërkesa e huaj neto. Papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit u ul në 11.3%, ndërsa punësimi u rrit me 4.3% në krahasim me një vit më parë. Parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 3.7%, nga 3.2% që ishte parashikuar më shumë“, theksoi ministrja.