(Në 50-vjetorin e themelimit)
Nga Skënder Gjinushi*
I nderuar President i Akademive Europiane profesor Loprieno;
I nderuar zoti Kryeministër;
Të nderuar kryetarë e përfaqësues të akademive mike; të Akademisë Bullgare, Çeke, Gjermane, të Kosovës, Maslit të Zi, Maqedonisë e Rumanisë;
E nderuar zonja Ministre e Arsimit dhe Shkencës;
Të nderuar përfaqësues të institucioneve arsimore e shkencore;
Të dashur anëtarë të Akademisë, të komisioneve të përhershme, profesorë e kërkues shkencorë, familjarë të kolegëve tanë që s’janë më, miq e të ftuar.
Kam nderin e kënaqësinë t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim ceremonial për kremtimin e përvjetorit të 50-të të krijimit të Akademisë së Shkencave, e cila mbledhjen e saj të parë e zhvilloi pikërisht në këtë sallë. Me këtë rast falënderoj Kryetaren e Kuvendit që na e afroi këtë mundësi për t’u rimbledhur përsëri këtu, ku kryetari historik i Akademisë sonë profesor Aleks Buda njoftonte publikisht fillimin e rrugëtimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Një gjysmë shekull jetë për një institucion kombëtar, që synonte të bëhej pjesë e familjes së akademive europiane me tradita shekullore, është pak për të lënë gjurmë në histori, për të djeshmen e për të ardhmen. Kjo ishte e mbetet sfida për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e cila u themelua, më 10 tetor 1972.
Por, vështruar nga lartësia e këtij jubileu, mund të pohojmë me plot të drejtë se Akademia jonë e Shkencave, e krijuar si kurorëzim i procesit të ngritjes e zgjerimit të rrjetit të instituteve kërkimore në Shqipëri, e përligji vendimin historik që u mor në plotësim të ëndrrës disashekullore të mendjeve më të ndritura të popullit shqiptar; vit pas viti e dekadë pas dekade, ajo erdhi e u rendit me dinjitet ndër akademitë e dijes europiane.
Në këtë 50-vjetor të themelimit të Akademisë sonë të Shkencave ne nderojmë më së pari gjithë historinë e gjatë shekullore të akademizmit shqiptar në tërësinë e vet, që nis të shpërfaqet qysh në shekujt e ndritshëm të humanizmit europian, nderimi ynë iu drejtohet veçanërisht njerëzve të dijes që shenjuan rrugën e mundimshme drejt lartësimit intelektual të shqiptarëve: Marin Barletit dhe autorëve më të hershëm të shqipes së shkruar si Gjon Buzuku e Lekë Matranga, që bënë zgjedhjen historike, duke e orientuar shkrimin e saj drejt latinitetit; dottorëve të filozofisë e teologjisë, Pjetër Bogdanit e themeluesve të Akademisë së Re të Voskopojës që përuruan shkencën shqiptare në një mjedis ndërkombëtar, rajonal e europian; figurave të ndritura të shkencës që lanë emër dhe gjurmë në zhvillimin europian e botëror, në Perëndim e në Lindje, si Karl Gega e Sami Frashëri; atyre që bashkuan dëshirën dhe zotësinë për të ndërmarrë nisma serioze që edhe Shqipëria të kishte një akademi të vërtetë, si Ndre Mjeda; të gjithë atyre që paraprinë atë çast historik kur akademizmi u kthye nga dëshirë e utopi në institucion funksionues, duke formësuar çfarë kishin shprehur një shekull më herët protagonistë të mendimit shqiptar si Dora d’Istria e Jeronim de Rada.
Gjatë kësaj periudhe paraprirëse shërbyen si shenja referenciale institucionale kolegjet dhe seminaret arbëreshe; katedrat e para të shqipes; akademia e ipeshkvinjve, e njohur edhe si akademia e alfabetit (1901); Akademia Saveriane (1938) dhe Instituti i Studimeve Shqiptare (1942), i cili veproi gjatë luftës antifashiste në përbërje të Accademia Reale të Italisë, për të mbërritur tek themelimi i Institutit të Shkencave menjëherë pas çlirimit të vendit.
Instituti i Shkencave, i themeluar në vitin 1947, u shndërrua shumë shpejt në vatrën e krijimit të rrjetit të ardhshëm të institucioneve kërkimore shkencore, fuqizimi e zgjerimi i veprimtarisë së këtij rrjeti çoi natyrshëm në formimin e Akademisë së Shkencave, më 10 tetor 1972.
Kjo qendër e re e kërkimit shkencor, shumë shpejt u kthye në institucionin më të rëndësishëm të shkencës dhe dijes në vend, në të cilin u konsoliduan shkencat albanologjike, Akademia e Shkencave u bë promovuese e themeluese e disiplinave kryesore tekniko-natyrore në vend; ideuese e projektuese e veprave madhore në ekonomi e energjetikë.
Merita për këtë i takon më së pari Asamblesë së parë të Akademisë së Shkencave, atyre që vunë gurët e parë të themelit; ikonave të shkencës shqiptare si Aleks Buda e Eqrem Çabej, të cilët, së bashku me Shuteriqin, Kostallarin, Domin e Pollon, u dhanë prestigjin dhe vendin e merituar shkencave albanologjike; kryeshenjave të shkencave të inxhinierisë, bujqësisë dhe mjekësisë, si Petrit Radovicka, Selaudin Bekteshi, e Mentor Përmeti, të cilët, së bashku me Hoxhën, Prezën, Kumbaron, Dajën, Biçokun, Këlliçin e Kakariqin, vendosën themelet e këtyre shkencave e i vunë ato në shërbim të ekonomisë e shoqërisë; etërve të krijimit të shkollës shqiptare në shkencat e natyrës, si Popa, Pilika, Paparisto, Kuneshka; si dhe të atyre shoqërore, si Omari, Xholi, Mara e Dedja.
Në një gjysmë shekulli jetë Akademia jonë e Shkencave e drejtuar nga Asambleja e kryetarët e saj ndër vite Aleks Buda, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Teki Biçoku, Gudar Beqiraj e Muzafer Korkuti, u kthye në një qendër më vete të zhvillimit të kërkimit elitar të mirëfilltë, krahas veprimtarisë kërkimore universitare. U krijua kështu rrjeti publik i institucioneve të destinuara e profilizuara për kërkim shkencor, i ngjashëm me sistemet homologe në Lindje e në Perëndim, i shtrirë në tërë fushat kryesore të dijës.
Bashkëpunimi me mbi 50 akademi simotra anëtare të federatës më të madhe akademike evropiane ALLEA, me organizata prestigjioze ndërkombëtare si UNESCO, AIESEE, ALE, IAP, SCI, me qendra e institucione akademike e universitare jashtë e brenda vendit, rritën në vazhdimësi vetë veprimtarinë e instituteve pranë Akademisë, si dhe autoritetin dhe emrin e saj në mjedisin ndërkombëtar.
Akademia u kthye në promovuesen e organizuesen e aktiviteteve kryesore shkencore në vend; organizmi i kuvendeve dhe kongreseve për origjinën e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij, në bashkëpunim më tej edhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës; nderimi i ngjarjeve e figurave me rëndësi të veçantë në historinë e shqiptarëve; zgjidhja e çështjes së njësimit të shqipes së shkruar; botimi ndër vite i korpuseve themelore të trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar në gjuhë e kulturë; krijimi i arkivave qendrore e vendore të kësaj trashëgimie origjinale; funksionimi i një hapësire kulturore kombëtare unike pavarësisht ndarjes ekzistuese me kufij; finalizuar me konsolidimin e një paradigme afatgjatë të albanologjisë, përbëjnë nyja themelore nderi në historinë e akademizmit institucional shqiptar, duke kristalizuar e konkretizuar atë çka deklaronte akademik Çabej që në themelim se albanologjia u kthye në vendin e vet, mision i mbartur me përgjegjësi nga anëtarët ndër vite: Demirajt, Gjergjit, Frashërit, Bulo, Uçi, Priftiu, Topalli, Beqja.
Akademia rriti rolin e saj parësor në ecurinë e mëtejshme të kërkimit e studimit në fushat më jetike të zhvillimit ekonomik e shoqëror, si shëndetësia dhe shkencat e jetës, të shkencave inxhinierike, veçanërisht në energjetikë dhe gjeoshkencë, me figura të tilla si Farudin Hoxha, Petrit Gaçe, Ylliu Popa, Josif Adhami, Teki Tartari, Eduard Sulstarova, Hysen Laçej, Salvator Bushati, duke krijuar kështu ekuilibrin e domosdoshëm midis shkencave shoqërore dhe atyre natyrore-teknike jo vetëm brenda për brenda Akademisë, por edhe në tërë sistemin kërkimor të vendit.
Trupa akademike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me shkollat e larta, si institucion apo nëpërmjet angazhimit të drejtpërdrejtë të anëtarëve të saj, si mësimdhënës, drejtues shkencor, dekan e rektor. Ajo ka kontribuar me përparësi e pandërprerë për formimin e specialistëve të lartë e të kërkuesve të rinj, sipas niveleve universitare të kohës, duke përçuar tek ata disiplina të përparuara/avangarde, programe e tekste me të rejat shkencore, ku do veçonim punën e anëtarëve tanë pedagogë Veveçka, Petro, Borici, Misja. Akademia e Shkencave në mënyrë të natyrshme, pavarësisht nga emërtimi i saj, nuk e shkëputi interesin e vlerësimin për kulturën, artin e letrat shqiptare, duke zgjeruar Asamblenë e saj me personalitete të artit e krijimtarisë, si: Odhise Paskali, Dritëro Agolli e Tish Daija.
Gjatë rrugëtimit të saj Akademia e Shkencave është ndeshur edhe me probleme madhore jashtë atyre shkencore siç ishte ideologjizimi i njëanshëm i tejskajshëm gjatë periudhës së sistemit komunist dhe reformat sporadike të ndërmarra në emër të ç’ideologjizimit, por që synonin ndryshime në formë e jo në përmbajtje, gjatë tranzicionit. Ajo ka ditur të çlirohet gradualisht prej ideologjisë moniste pa u ndrojtur e ndikuar nga përbaltja e presionet pluraliste, duke ditur të ndajë të vërtetat shkencore e ato historike nga keqinterpretimi e keqpërdorimi politik i tyre, duke dalluar vlerat e ndikimet e ngjarjeve të mëdha historike nga vlerat, cilësitë apo preferencat individuale të protagonistëve të tyre, duke mos ngatërruar shkakun me pasojat, duke vlerësuar e rivlerësuar njerëzit e shquar të shkencës, letrave e dijës për kontributin e tyre në shkencë, kulturë e arsim pa e ngatërruar atë me veprimtarinë apo zgjedhjen e tyre politike.
Me të njëjtin objektivitet Asambleja e Akademisë ka trajtuar edhe pasojat e reformave të nxituara e të imponuara, të ndërmarra ndaj saj, për t’u përfshirë në një proces reformimi e ristrukturimi, jashtë ndikimeve e përfitimeve politike, bazuar në Ligjin e ri nr. 53/2019 Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë, me synim ripozicionimin e saj si qendër kryesore e ideimit, promovimit dhe zhvillimit të kërkimit shkencor, vendosjen në epiqendër të sistemit të kërkimit shkencor.
Kjo periudhë reformimi e riktheu Asamblenë në funksionet e veta, e ripërtëriti atë me 14 anëtarë të rinj të zgjedhur nga radhët e profesoratit të IAL e të kërkimit shkencor, pranë saj funksionojnë 9 komisione të përhershme ku krahas akademikëve kontribuojnë si anëtarë të rregullt mbi 90 – përfaqësues të universiteteve e qendrave studimore, 7 njësi e qendra kërkimore shkencore dhe 2 institute virtuale, hapja e saj ndaj botës akademike, po fuqizohet më tej edhe me pranimin si anëtarë të jashtëm të studiuesve më të njohur shqiptarë nga diaspora e me dhënien e titullit anëtar nderi studiuesve joshqiptarë, që shquhen në shkencat albanologjike apo kontribuojnë në zhvillimin e shkencës në Shqipëri. Mund të thuhet se nuk ka bashkësi shkencore e profesionale, universitare ose jo, që të mos jetë e lidhur me veprimtarinë e Akademisë së Shkencave.
Përmes nismave të reja është shtuar me përparësi interesimi për shkencat bashkëkohore, si nanoteknologjia, bioteknologjia, inteligjenca artificiale dhe energjitë e ripërtëritshme pa harruar ato të traditës, ngritja e nivelit të kërkimit për to, nëpërmjet hapjes së strukturave të reja e ristrukturimit të atyre ekzistuese, me mbështetjen e në bashkëpunim me qeverinë, mbetet një prej sfidave të së ardhmes, krahas realizimit me sukses të iniciativave shkencore madhore. Hartimi i veprave themelore: Historia e shqiptarëve, Enciklopedia shqiptare dhe Fjalor i madh i shqipes, që i mungojnë ende traditës shqiptare në këtë format e madhësi.
Zhvillimi me sukses i Kuvendit ndërkombëtar të studimeve albanologjike (2021), dy kongreset ndërkombëtare të nanoteknologjisë (2021, 2022), konferencat ndërkombëtare e kombëtare për bioshkencën, sizmologjinë dhe pandeminë, e asaj botërore e studimit të baladave (2022), forcojnë bindjen për mundësinë e nevojën e thellimit të reformimit të sistemit tonë shkencor, ku një nga aspektet më thelbësore është ngritja pranë Akademisë së Shkencave të një rrjeti elitar institutesh shkencore, nëpërmjet transformimit të njësive të saj në qendra të mirëfillta kërkimore e ribashkimit pranë saj të instituteve me impakt kombëtar.
Të nderuar pjesëmarrës
Në mbyllje të kësaj fjale më lejoni të shpreh nderimin e mirënjohjen më të thellë për të gjithë kolegët tanë të nderuar, që nuk jetojnë më, që kontribuuan me punën, personalitetin e dijen e tyre në këtë rrugëtim të Akademisë së Shkencave, të falënderoj të gjithë anëtarët e Asamblesë e të Akademisë në rrjedhë të 50 viteve e sidomos Asamblenë e sotme, që ka nderin të ketë në radhët e saj ndër figurat më të ndritura të letrave e shkencës shqiptare, si Ismail Kadare, që jo vetëm i përjetoi me dinjitet sfidat me të cilat u përball, por dëshmoi zotësinë e vet për të dalë në krye të proceseve reformuese, për t’i dhënë institucionit tonë vendin e misionin për të cilin u ngrit 50 vjet më parë.
Faleminderit të gjithëve ju për nderimin dhe vlerësimin që na bëni me prezencën Tuaj e në veçanti kryetarët e akademive si motra e presidentin e ALLEA, që me pjesëmarrjen e tij dëshmoi përkujdesjen, përkrahjen e plotë që i ka dhënë reformimit të Akademisë së Shkencave, ky institucion i rëndësishëm; Kryeministrin dhe Ministren e Arsimit për mbështetjen e bashkëpunimin e deritanishëm, e për angazhimin për të çuar deri në fund reformimin e Akademisë së Shkencave e të vetë sistemit të kërkimit shkencor te ne.
*Fjala e akademik Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e mbajtur sot në mbledhjen kremtuese në Kuvendin e Shqipërisë.