Në 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se vazhdon të falsifikojë historinë.
Sipas Berishës, kreu i qeveri i thur lavde Akademisë ku u elaboruan falsifikimet më monstruoze të historisë kombëtare. Duke theksuar se Akademia ka luajtur një rol negativ për hiperkolektivizmin dhe deformimin e historisë, Berisha tha se tani është koha që të denoncohen.
“Sot, nomenklatura e shtetit monist, po kremton 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave. Sot, në këtë 50-vjetor, pasardhësi i nomenklaturës së vjetër, mbajti një fjalim, në të cilin vazhdoi falsifikimin e turpshëm të historisë. E vërteta më e hidhur është se akademia ishte një institucion i diktaturës, i falsifikimit të historisë, që mbante për filozofi kryesore, filozofinë marksist-komuniste. Nga kjo akademi, që sot Rama i thur lavde, asaj dhe etërve të tij, u elaborua falsifikimet më monstruoze të historisë sonë kombëtare. Nga kjo akademi, u himnizuan antivlerat. Në veprat e saj spikati mashtrimi, në shumë prej tyre, spikati glorifikimi i të keqes dhe diktatorit. Akademia është bashkëfajtore për tiraninë hiperkolektiviste që vendosi diktatori në Shqipëri. Tirani, e cila erdhi si rezultat i hiperkolektivizmit total.
Unë po u kthej shqiptarëve një moment: në vitin 1989, kur Ramiz Alia paraqiti në plenum një variant të vetëadministrimit jugosllav dhe rikthimit të kecit dhe qengjit, takoj një profesore dhe i drejtoj një pyetje: ka syth nga tregu në fjalimet e Ramiz Alisë. ‘Doktor, më thotë, unë po mbroj tezën kundër ekonomisë së tregut,’ më thotë. Tezën ia drejtonte një sovjetik i damkosur i Akademisë së Shkencave. Ata me mbështetjen e madhe që i jepnin proceseve ose hiperkolektivizmit dhe deformimit të historisë, ata luajtën një rol negativ të dorës së parë. Sot është koha jo të lavdërohen, por të denoncohen me të madhe si akte ndër më të rëndat ndaj shqiptarëve”.
Për Berishën viktimë e Akademisë së Shkencave nuk u bë vetëm historia, por edhe gjuha shqipe.
“Nuk ishte viktimë vetëm historia jonë kombëtare e Akademisë, po kaq viktimë u bë edhe gjuha shqipe, e cila për paranojën e diktatorit, mori goditjen më të rëndë në tërë ekzistencën e saj në kongresin marksist të drejtshkrimit të vitit 1972. Në atë kongres, në njëfarë mënyre u ridimensionua famëkeq i Enver Hoxhës që ndaloi publikimet e paraluftës. Aty u vendos arkivimi i punimeve të pavdekshme të rilindësve, Fishtës, Mjedës, Filip Shirokës, shkrimtarëve të Kosovës, vetëm pse duhej të goditej dialekti i zonës armike. Duhej të goditej gjuha liturgjike. Sot, gjuha shqipe vuan pasojat më të rënda të Kongresit marksist të drejtshkrimit të vitit 1972. Nuk kam asgjë me drejtshkrimin, por nuk mund të pranohet kurrë dënimi që iu bë gjuhës shqipe, dënimi që iu bë formave themelore të kohëve të foljes, dënimi që iu bë për rrjedhojë të gjithë letërsisë së krijuar në trevat nga Elbasani në Prishtinë”.
Akuza drejtoi edhe ndaj kreut aktual të Akademisë së Shkencave, që sipas Berishës i shiti partinë Edi Ramës për Tom Doshin në shkëmbim të kryetarit të Akademisë.
“Sot Akademia kremton 50-vjetorin me një regres të madh. Nëse më parëkishte në krye një historian të nderuar si Aleks Buda, sot ka një matrapaz, një ish-ministër të diktaturës, që uzurpoi postin e kreut të akademisë duke ia shitur partinë e tij Tom Doshit. Skënder Gjinushi, ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate, i shiti partinë Edi Ramës për Tom Doshin në shkëmbim të kryetarit të Akademisë. Histori më të turpshme nuk ka në botë. Ai që mori atë post në dhunim flagrant të Kushtetutës, e cila përcakton se kryetari i Akademisë emërohet nga Presidenti i Republikës. Por për pazarxhinjtë Rama-Gjjinushi, Kushtetuta nuk vlen një lekë. Rëndësi ka që të blinte Akademinë me partinë. Nuk ka ditë më të zezë se kjo e sotmja, kur ai institucion feston 50-vjetorin me një qenie të turpshme si kryetarin e saj”.