Këshilli i Ministrave miratoi sot projektbuxhetin për vitin 2023. Lajmin e dha ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, sipas të cilës ky projektbuxhet parashikon konsolidim fiskal duke reduktuar borxhin, normat e deficiti dhe duke parashikuar një bilanc primar pozitiv.
Brahimaj theksoi se është ulur parashikimi për rritjen ekonomike, por do të mundësojë hapësira që ekonomia të përballojë rreziqet.
“Me buxhetin do të vijojmë konsolidimin fiskal duke reduktuar borxhin, normat e deficitit dhe duke parashikuar një bilanc primar pozitiv. Projektbuxheti reflekton këto para metra makroekonomike, parashikojnë një recesion teknik të vendeve të BE dhe ne kemi ulur parashikim në 2023 nga 3.3% në 2.6 %. Ky projektbuxhet do të bëjë të mundur të krijojë hapësira që ekonomia të përballojë të gjitha rreziqet duke krijuar hapësira për çdo goditje në të ardhmen. Pr.buxheti do prezantohet në detaje se çfarë parashikon si zëra kryesorë. Ky buxhet do të vijojë të mbështesë mos rritjen e çmimeve te energjisë elektrike për konsumatorët familjarë e bizneset e vogla dhe shtresat në nevojë.”
Brahimaj njoftoi gjithashtu se amnistia fiskale nuk është parashikuar në buxhetin e miratuar, pasi është në konsultim me grupet e interesit.
“Amnistia fiskale nuk është parashikuar në projektbuxhetin e miratuar, është ligj që është në konsultim publik me palët e interesit dhe nuk e kemi ende një datë për miratimin e këtij ligji. Ne po punojmë paralelisht të hartojmë bazën nënligjore që kur të arrijmë në një ligj final të kemi gati infrastrukturën për zbatimin e këtij ligji”.
Ministrja nënvizoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.
“Do të vijojmë që gjatë vitit të ardhshëm të kemi një konsolidim fiskal, duke reduktuar nivelin e pritshëm të borxhit publik, duke reduktuar normat e deficitit dhe duke parashikuar një balancë primare pozitive. Projektbuxheti që sapo dorëzuam reflekton këto parametra makro-ekonomik. Projekt buxheti do ju prezantohet javën e ardhme në komisione. Ky buxhet do vendosë të mbështesë mos rritjen e energjisë për konsumatorët familjarë dhe për bizneset vogla dhe gjithashtu do vijojë të mbështesë shtresat në nevojë”, u shpreh ministrja.
E pyetur se çfarë u diskutua në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të thirrur nga presidenti Begaj ajo tha: “Është roli i presidentit të thërrasë komitetin e sigurisë kombëtare për çështje të ndryshme. Diskutuam për çështjet e sigurisë kibernetike ku çdo institucion raportoi për masat e marra dhe ato që do të merren për parandalimin e sulmeve që mund të vijnë në të ardhmen”.