Milani është mundur sërish nga Chelsea dhe pse me polemika ndaj gjyqtarit. Graham Potter fërkon duart pas një suksesi të pastër 2-0 i ndikuar edhe nga dalja e Tomorit me të kuq që shkaktoi penalltinë e zhbllokimit të ndeshjes nga Jorginho, ndërsa në “San Siro” pllakosi heshtja pas golit të dytë të Aubameyang. Megjithatë, Milan është ende në lojë për tu kualifikuar.
Barazimi 1-1 në ndeshjen Dinamo Zagreb-Salsburg i mban në lojë kuqezinjtë me 4 pikë në vendin e tretë të paraprirë nga Chelsea me 7 dhe austriakët me 6.
Barazojnë kampionët e Europës në fuqi. Real Madrid u ndal 1-1 në Varshavë përballë Shakhtar Donetsk. Ukrainasit në një moment të vështirë për shkak të luftës në vendin e tyre, shënuan me Zubkov por Rudiger në fund me një kërcim që i shkaktoi një dëmtim, vendosi barazpeshën. Shakhtar zbret në vendin e tretë me 5 në grupin ku Real kryeson me 10 ndërsa Leipzig që triumfoi 2-0 në Glasgow kundër Celtic, ngjitet në të dytin me 6 pikë.
Në grupin G, Sevilla nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në Dortmund duke qëndruar në 5 pikë diferencë nga gjermanët e vendit të dytë. Barazim 1-1 edhe në Paris mes PSG dhe Benfica ku të dyja skuadrat shkojnë në kuotën e 8 pikëve me luzitanët për momentin në vendin e parë për shkak të golavarazhit më të mirë.