Aktualitet BE paralajmëron Shqipërinë: “Pasaportat e arta” rrezikojnë regjimin pa viza

BE paralajmëron Shqipërinë: “Pasaportat e arta” rrezikojnë regjimin pa viza

Shqipëria rrezikon që t’i rikthehen vizat në rast se dhënia e shtetësisë sipas skemave investitore konsiderohet se përbën një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Bashkimit Evropian. Kështu thuhet në progres-raportin e publikuar të mërkurën, për vendin tonë.

“Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rreziqe për sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së”, thuhet në progres-raportin e Komisionit Europian.

Ndërsa në materialin me titull “Komunikimi i politikës së zgjerimit të Komisionit Europian”, gjuha e përdorur është akoma më e fortë, duke e bërë të qartë që rreziku i heqjes së vizave është real.

“Skemat e nënshtetësisë së investitorëve dhe skemat e investitorëve rezidenciale të disponueshme në disa vende mund të përdoren për të anashkaluar vizën e BE-së për qëndrim të shkurtë, procedura dhe vlerësimi i thelluar i individëve migratorë dhe i sigurisë rrezikon këtë procedure, duke përfshirë një evazion të mundshëm të masave për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin, si dhe anashkalimin e sanksioneve ndërkombëtare. Skema të tilla duhet të përfundojnë pa vonesë. Në rast se dhënies se shtetësisë sipas skemave të shtetësisë investitore konsiderohet se përbën një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Shteteve anëtare, regjimi pa viza mund të pezullohet”, thuhet në progres-raportin e Komisionit Europian.

Në progresraport ka kritika edhe për amnistinë fiskale: “Në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe kundër Pastrimit te parasë, u arrit progres, por Shqipëria mbetet e listuar nga Task Forca e Veprimit Financiar dhe duhet të zbatojë elementet e mbetura të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval mund rrezikojnë progresin në këtë fushë”.