Irani ka përshkallëzuar shtypjen e protestave në zonat kurde në perëndim të vendit, të cilat filluan për shkak të vdekjes së një vajze 22-vjeçare që ishte arrestuar nga policia e moralit. Udhëheqësi suprem i Iranit i quajti protestat antiqeveritare “trazira të shpërndara dhe të inskenuara nga armiku”. Por analisti Ali Vaez, njohës i zhvillimeve politike në Iran, thotë se zemërimi në vend është rritur për shkak të korrupsionit dhe situatës ekonomike.
Autoritetet iraniane përshkallëzuan goditjen e protestuesve, ndërsa mijëra njerëz kanë dalë në rrugë që pas vdekjes së një vajze 22-vjeçare në ambientet e paraburgimit, ndërsa ishte arrestuar nga policia e moralit. Sipas aktivistëve edhe punëtorët e një rafinerie nafte protestuan.
Policia përdori armë zjarri në një lagje në Sanandaj, kryeqytetin e provincës Kurdistan të Iranit, ndërsa organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International dhe këshilltari i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë kritikuan dhunën ndaj demonstruesve të zemëruar nga vdekja e Mahsa Aminit.
“Ka kaq shumë zemërim dhe zhgënjim në vend sa është e vështirë të imagjinohet se protestat në Iran do të mbyten vetëm nga sistemi duke përdorur grushtin e tij tradicional të hekurt, që po përpiqet të shuajë protestat”, thotë Ali Vaez, një analist që mbulon Iranin për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, në Bruksel.
Sipas tij qeveria është përgjegjëse për nisjen e këtyre protestave dhe shkaku i vërtetë thotë ai është korrupsioni i lartë në vend dhe mbyllja e hapësirës politike.
“Unë mendoj se ky moment është rezultat i gabimeve të Republikës Islamike. Në fakt, Republika Islamike dhe udhëheqja e saj janë shkaku i kësaj lëvizjeje thjesht sepse e shtynë shoqërinë në kufijtë e saj. Populli iranian ka vuajtur nga rënia ekonomike si pasojë e keqmenaxhimit, korrupsionit dhe sanksioneve gjatë dekadës së fundit, cilësia e jetës së tyre po përkeqësohet dita-ditës. Gjithashtu, në aspektin social dhe kulturor, sistemi ka shtuar presionin mbi shoqërinë. Ata po shkelnin të drejtat e pakicave në mënyra që nuk i kishim parë. Dhe së fundmi, ata po mbyllnin hapësirën politike”, thotë më tej analisti politik.
Udhëheqësi suprem i Iranit i quajti protestat antiqeveritare “trazira të shpërndara dhe të inskenuara nga armiku”.
Qeveria e Iranit këmbëngul se 22-vjeçarja Mahsa Amini nuk u keqtrajtua, por familja e saj thotë se në trup kishte të nxira dhe shenja të tjera goditjesh pasi u arrestua për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së kësaj republike islamike.
Video të tjera tregojnë forcat e sigurisë që rrahin dhe shtyjnë gratë protestuese, ndër to edhe gra që kanë hequr shaminë e detyrueshme të kokës, hixhabin. 22-vjeçarja Amini ishte kurde dhe vdekja e saj është ndjerë veçanërisht në rajonin kurd të Iranit, ku demonstratat filluan më 17 shtator në funeralin e saj.