Politika PPE refuzoi darkën, Rama: Nuk ndihesh mirë kur dëgjon histori horrori, u...

PPE refuzoi darkën, Rama: Nuk ndihesh mirë kur dëgjon histori horrori, u duhet kohë 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi refuzimin e një pjese të Asamblesë Parlamentare të KE-së për të mos marrë pjesë në darkën e punës të ngritur nga kreu i ekzekutivit shqiptar, pas fjalimit të tij ku kërkon një përmbysje të raportit të Dick Marty ndaj krimeve të luftës në Kosovë.

Rama pranoi se PPE ka refuzuar ftesën, duke ironizuar. “Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!”, shkruan ai në profilin Twitter.

Rama vijon duk  thënë se ”Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës, ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë  e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri”.

Rama sulmon edhe opozitën, që përhapi lajmin e refuzimit. “Është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e non gratave dhe e rublave, gjen kurajën të kundërvihet e të merret me dokrra!”

Lajmin e kishte shpërndarë fillimisht lideri i PD-së Sali Berisha, e zyrtarizuar edhe nga lajmërimi i polakut Aleksander Pociej, presidenti i grupit parlamentar të PPE-së, ku thuhej se “me keqardhje të thellë, pas ndërhyrjes pasditen e sotme në Asamble të Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama, Komiteti Presidencial ka marrë një vendim për të refuzuar ftesën e Kryeministrit”.