Franca ka nisur të furnizojë me gaz Gjermaninë, në një akt “solidariteti europian”, në një kohë kur presioni për të përballur dimrin me energji është duke u rritur nga dita në ditë.
Gazi u dërgua drejt Gjermanisë përmes një linje transmetimit, si pjesë e një marrëveshje mes dy vendeve për të plotësuar mungesat që solli ndërprerja e furnizimit me gaz nga Rusia.
Edhe pse sasia e dërguar nuk është më shumë se 2% e nevojave ditore, ky gjest vlerësohet nga Berlini i cili prej kohësh tashmë ka nisur betejën për diversifikimin e energjisë.
Kohët e fundit, Rusia është vënë nën akuzë nga shumë vende europiane se është duke e përdorur çështjen e furnizimit me gaz si një armë kundër Perëndimit.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin i tha të enjten homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan se Turqia ishte rruga më e besueshme për dërgimin e gazit në Bashkimin Europian dhe propozoi ndërtimin e një të qendre furnizimi atje, siç e quajti ai.
Propozimi vjen në një kohë kur Rusia po përpiqet të ruajë ndikimin e saj energjetik në Europë, ndërsa ndryshon rrugët e furnizimit nga deti Baltik për gazsjellësit Nord Stream, të dëmtuara nga shpërthimet e muajit të kaluar që janë ende nën hetim.
“Kjo qendër, të cilën natyrisht ne mund ta ndërtojmë së bashku, do të ishte një platformë jo vetëm për furnizime, por edhe për përcaktimin e çmimit, sepse kjo është një çështje shumë e rëndësishme – çështja e çmimeve,” i tha presidenti Putin homologut të tij Erdogan, në një takim në Kazakistan.
“Sot, këto çmime janë shumë të larta; ne mund t’i rregullojmë lehtësisht [ato] në një nivel normal tregu, pa asnjë ngjyrim politik”, tha ai.
Putin e përmendi fillimisht të mërkurën idenë që Rusia mund të krijojë një qendër kryesore gazi në Turqi duke ridrejtuar furnizimet e destinuara për gazsjellësit e dëmtuar nënujorë Nord Stream. Autoritetet suedeze dhe daneze po i hetojnë shpërthimet si akte sabotimi, por ende nuk kanë thënë se kush besojnë se ishte përgjegjës.
Në daljen para kamerave të dy udhëheqësve, Erdogan nuk komentoi mbi idenë e qendrës së gazit.
Presidenti turk ka propozuar të ndërmjetësojë mes Moskës dhe Kievit që kur Putini filloi agresionin në Ukrainë më 24 shkurt. Ai realizoi një arritje të rrallë diplomatike kur së bashku me Kombet e Bashkuara, ndërmjetësoi një marrëveshje në korrik që lejonte rifillimin e eksportit të drithit ukrainas nga portet e Detit të Zi që Rusia e kishte bllokuar.