Nga Luan Rama*
Kamera “Super 8”, një kamera e vogël, thjesht për të regjistruar kujtime familjare, datëlindje, udhëtime. Ballë saj, ajo grua e zakonshme me fustane të gjata, përgjithësisht blu, me hijen e një Jean Moreau të ekraneve franceze, me një vështrim kureshtar, meditativ, duke parë me kureshtje botën. E habitshme që pas gjysmë shekulli, ato filmime të harruara u shfaqën përsëri, madje për të realizuar një film, bashkë me djalin e saj, David. Është nostalgjia si gjithnjë, kërkojmë nëpër ditaret e dikurshme, fotografitë, filmat kush ka mundur. Në moshën 82-vjeçare ajo vështron pas. I pëlqen kjo aromë nostalgjie. Ndoshta kërkon të përjetojë përsëri rininë e saj, dashuritë e fshehura, shkrimin klandestin. Shqipëria ishte pjesë e këtij udhëtimi që filloi në vitin 1972 dhe mbaroi në vitin 1980, ku ndër të tjera, bashkë me burrin e saj dhe dy fëmijët, do të udhëtojë drejt Kilit të presidentit Alende, fytyrës së re të socializmit jug-amerikan, pastaj në Spanjë, Portugali, në Shqipëri etj., e gjer në udhëtimin e fundit në vendin e Tolstoit e Dostojevskit, siç thotë ajo, në Sheshin e Kuq, ku përballë Kremlinit shohim kortezhin e gjatë të turistëve që shkojnë në rradhë për të parë mominë e Leninin në mazoleumin e tij. Annie Ernaux në këtë kohë sapo ka filluar të shkruajë, jo poezi, por romane. Simone de Beauvoir, Virgjinia Wolf, Marguerite Yourcenar e Marguerite Duras, zonja të mëdha të letërsisë e kanë ngacmuar fantazinë e saj, dhe padyshim idhujt e saj Flobert, Proust, Gide, etj. Ajo kërkon shkrimin.
Është një kohë që për Ismail Kadarenë nuk ka dëgjuar gjë pasi dhe ai është në fillimin e romaneve të tij që më pas do të lenë gjurmë në letërsinë botërore. Viti 1968 i “revolucionit seksual e feminist” ka kaluar. Femra franceze dhe europiano-perëndimore është çliruar plotësisht. Kuptohet që ajo është e majtë, nga vetë origjina e saj popullore, por dhe burri i saj Philippe Ernaux që duket se ka një kureshtje për të majtën dhe ja pse udhëtimi i tyre shkon së pari drejt Kilit të Alendes. Nga xhirimet duket që burri i saj e ka në qendër të vëmendjes. Shprehje dashurie që vazhdon. Dhe ajo është një grua për tu dashuruar dhe që sapo është çliruar pas këtij revolucioni. Kameran “Super 8” nuk mund ta kishte kushdo. Por ai i kishte mundësitë. Ai filmon portretin e saj të heshtur. Rrallë mund ta shohësh duke qeshur veç kur është me familjen e saj. Është një meditacion i gjatë, për veten dhe botën.
Nga gjithë udhëtimet e tyre më i veçanti është ai i vitit 1975, drejt Shqipërisë, drejt atij vendi të mbyllur ku më parë shpesh turistët i kthenin në kufi, turistëve që vinin vetëm përmes shoqatave “mike”, marksist-leniniste. Një vend padyshim misterioz për Perëndimin dhe që vështirë ta vizitoje. Një grup turistësh francezë prej tetë personash zbresin në Rinas. Kësaj rradhe ajo është pa fëmijët. Por që në kontaktin e parë habia e tyre është e madhe. Kuadri i parë i filmuar është bulevardi i madh Dëshmorët e Kombit, nën një diell të zbehtë, ku duken tutje veç dy njerëz dhe një autobus i shplarë, me siguri i vendeve të Lindjes edhe pse Shqipëria i kishte kthyer shpinën “Kampit Socialist” duke rënë me dashuri me Kinën e Maos; ishte një autobus që dremiste në trotuarin buzë Hotel Dajtit. Pastaj ai filmon Annie-n, të vetme, me monumentin e ri të Skënderbeut në sfond. Monumenti i Stalinit nuk është më aty.
”U nisëm për një udhëtim jo të zakonshëm. Kush e njihte Shqipërinë me 500 vitet nën perandorinë osmane dhe që ishte zhytur në komunizëm? Kush e njihte udhëheqësin e saj Enver Hoxha? Nga gjithë vendet e Lindjes ishte ky vend që na shtynte drejt një “tropizmi” dhe na ofronte më shumë habi, mister e kureshtje për ta parë dhe nga ana tjetër një ndjesi neverie për regjimin. Burrat e grupit i detyruan të rregullojnë pantallonat e gjera, ti bëjnë si ato bluxhinset e punonjësve kinezë, të prisnin flokët e gjata. Ne femrave na u desh të vinim pantallonat nëpër valixhe dhe të vishnim fustanet. Na u desh të hiqnim shenjat e qytetërimit dekadent e borgjez. E kuptuam se s’mund të filmonim asgjë, veç me autorizimin e organizatorëve. Ne s’mund të lëviznim lirisht dhe të hynim në kontakt me shqiptarët. Një vajzë shqiptare që kishte qenë në Paris ishte tronditur kur kishte parë burra me flokë të gjata…”
Imazhet e filmit “Les années de Super 8” (Vitet e Super 8 janë pa zë, ashtu siç janë filmuar gjysmë shekulli më parë, madje pa montazh, thjesht rradhitur, shoqëruar me zërin e saj monoton, që tregon qetësisht dhe pa as kurrfarë entuziazmi. Kontakti i tyre me kufirin shqiptar më kujtoi historinë e dy miqve të mi kineastë, francezët Jean Louis Berdot dhe Michel Faure që pikërisht në këtë kohë ishin shfaqur në Shqipëri, ashtu me flokë të gjata dhe që ishin detyruar të qetheshin atje me gërshërë të rastit që të mund të vazhdonin më tej. Filmi vazhdon : sheshe dhe rrugë pothuaj bosh ku rrjedh një jetë monotone ku jeta ishte e kushtëzuar nga ideologjia, kudo parrulla dhe pankarta të mëdha me shkrimet për Marksizëm-Leninizmin dhe Enver Hoxhën. Shkodër, Durrës, Gjirokastër, një fermë bujqësore që me sa duket është ajo e “Gjergj Dimitrov”, një stallë lopësh, vreshta, fshatarë gjithnjë larg tyre dhe indiferentë. Ishin perëndimorë apo “dekadentë”, një fjalë e re që ishte futur në fjalorin shqiptar!
“Në plazhin e mrekullueshëm të Durrësit, – vazhdon zëri i Annie, duke treguar imazhet e filmuara, – grupit tonë prej tetë turistësh i kërkuan që të mos dilnin nga perimetri i caktuar i Hotel Adriatikut, i rezervuar vetëm për turistët. SIGURIMI, ekuivalent i KGB apo STASI përgjonte ngado. Të konsideruar si vektorë të kalbëzimit perëndimor, ishim të detyruar të qëndronim si në një kafaz. Në këtë vend real që kishim para nesh, ne nuk kishim asnjë akses. Shpesh imazhet më tregojnë disi të veçuar nga grupi, të heshtur. Unë nuk merrja pjesë në të gjitha ekskursionet që organizoheshin, duke parapëlqyer të rrija në hotel, të shkruaja apo të lexoja të vetmin roman shqiptar të përkthyer në frëngjisht “Juga e bardhë” e shkrimtarit Jakov Xoxe. Ajo që do të ishte më prekëse dhe paradoksale njëkohësisht gjatë këtij udhëtimi ishte ajo çka na mbante larg Njeriut të Ri, siç thuhej. Imazhet përreth më çonin në vendet e mia të fëmijërisë sonë pa vetura. Njerëzit punonin në një peizazh që betoni ende nuk kishte mundur ta shpërfytyronte. Njerëzit ecnin në këmbë apo me biçikletat kineze. Këtu mes punonjësve s’mund të bëjmë asnjë pyetje. Kjo ishte e pamundur. Dëgjonim gjithnjë të njëjtat fjalime ku kritikohej revizionizmi i Titos, regjimi i Moskës dhe dekadenca perëndimore. Këtu lëvdohen të mirat e Revolucionit Kulturor të kopjuar nga ai i Maos. Gjithë këtë ata e quanin Revolucionarizim.”
Po, vetëm plazhi i Durrësit ka gjallëri. Vende për ne të njohura. “Hekurudha” me pistën përpara, futur në det dhe mijra njerëz shtrirë mbi rërë. Vajza të bukura dhe një diell i zbehtë. Hotel Adriatiku… Plazhistët shëtisin buzë detit, në perëndim. Kur ne guxonim të flisnim me një të huaj, pasi largoheshim, menjëherë të shfaqej një civil dhe një seri pyetjesh të binin si breshër: “Kush ishte? Çfarë të tha? Përse të pyeste? Çfarë kërkonte? A të foli për jetën ne Perëndim ?…” Për ne ishte thjesht një lloj përshëndetje, një takim i shkurtër njerëzor që zgjaste veçse disa minuta. Shpesh, nga larg, ata na buzëqeshnin. Kishin dëshirë të na dëgjonin, tu tregonim për jetën tonë. Por tashmë barriera ishte e madhe dhe e rrezikshme. Ishte bota tjetër, e huaj, e degjeneruar edhe pse ndjeheshim aq të afërt!…
“Midis dëshmive të qytetërimit të vjetër, – vazhdon Annie, ku kamera ka filmuar ikona mesjetare, me sa duket ato të Onufrit si dhe gërmimet arkeologjike, – dhe një propagande vulgare kishte një kontrast dhe papajtueshmëri vlerash që ishte shqetësuese, çka përbënte në thelb dhe një lloj identiteti të Shqipërisë. Nuk mund ta imagjinonim që 20 vjet më pas nga gjithë monumentet e ngritura për lavdinë e regjimit stalinisto-maoist nuk mbeti më asgjë. Vetëm dëshmitë arkeologjike do të mbeteshin para syve tanë si dëshmi të një qytetërimi të para 2000 vjetëve, i cili nuk mund të dilte jashtë kohe.”
Kalaja e Krujës, male, gjurmë historie. Dhe kontrasti padyshim është befasues me ideologjinë zyrtare. Revolucioni kulturor i kishte flakur tej kishat e xhamitë dhe Shqipëria i ishte shfaqur botës si vendi i vetëm ateist në botë.
“Ne nuk pamë asgjë në Shqipërinë e vitit 1975, as ata që ikën nga këto plazhe të Adriatikut. Sot ky vend është bërë një nga vendet e para turistike të Ballkanit, ndërkohë që duke filluar nga vitet 1989, njerëzit nuk pushojnë së ikuri. Janë emigrantë të hedhur nga një cep në cepin tjetër të Europës, tërhequr ndoshta nga imazhi i lumturisë që ne, aq të distancuar siç ishim në atë kohë nga ta, ndoshta u dhamë dëshirën që të largoheshin…”
Konstatimi i saj është i dhimbshëm edhe pse 30 vjet kanë kaluar nga ndryshimet politike në Shqipëri. Do ishte interesant që kjo nobeliste të ftohej të rishihte Shqipërinë e vitit 2023. Çdo të na thoshte atëherë ajo?…
*Marrë nga profili i shkrimtarit dhe diplomatit Luan Rama në Facebook. Titulli origjinal: Nobelistja Annie Ernaux dhe vitet “Super 8” në Shqipëri