Santiago Sánchez Cogedor kishte një ëndërr: të ndiqte Kupën e Botës në Katar dhe për ta realizuar ai ndërmori një rrugëtim të veçantë…me këmbë që nga Spanja dhe deri në vendin e Lindjes së Mesme.
Për fat të keq, prej disa javësh, nuk dihet asgjë për fatin e të riut që mesa duket ka humbur kontaktet me familjen dhe shoqërinë. Në datën 8 janar të këtij viti, 40-vjeçari u nis nga qyteza spanjolle në një rrugëtim të gjatë me këmbë mespërmes Europës dhe drejt Azisë për t’u ndalur në Gadishullin Arabik ku në datën 20 nëntor do të startojë Kupa e Botës.
Familja është e shqetësuar për fatin e tij edhe pse ai është një ish-ushtarak i mësuar me situata nga më ekstremet. I fundit që e kontaktoi në fillim të tetorit ishte një miku i tij, sipas të cilit, Cogedor sapo kishte hyrë në zonën e Kurdistanit irakian dhe ndodhej 5 kilometra nga kufiri iranian.
“Unë fola për herë të fundit me të më 1 tetor, ai më dërgoi lokacionin e tij. Ishte në Kurdistanin irakian, pesë kilometra larg kufirit iranian”.
Më pas Bergado foli edhe për mikun tjetër Coque: “Santiago i dërgoi një mesazh ku thoshte ‘situatë e nxehtë, por gjithçka është në rregull’. Mendoj se ai i referohej protestave të grave iraniane kundër qeverisë. Por kontaktet u ndërprenë atje”.
Sipas mikut të tij Santiago, ai mund të ketë mbetur i bllokuar në Iran, pikërisht për shkak të situatës së vështirë që po përjeton vendi. Familja është në ankth, duke pritur që djali të kthehet të bëhet i gjallë.
40-vjeçari kishte llogaritur të kthehej në Spanjë pas Botërorit nëpërmjet autostopit.
Kjo nuk është hera e parë që Santiago ndërmerr iniciativa të tilla pasi në vitin 2019 mbërriti në Arabinë Saudite me një biçikletë për të ndjekur Realin e Madridit në Superkupën e Spanjës.