Nga Leonard Karaj
E enjte, 3 nëntor 2022. Pas 31 vitesh dhe 11 muaj ekzistencë, Partia Demokratike mund të rrezikojë seriozisht “shkrirjen”. Jo në kuptimin juridik të fjalës, pasi me gjasë një formacion i tillë politik mund të vijojë të mbahet në këmbë edhe më tej, por asesi një parti që të pretendojë më pushtetin. Vendimi i Gjykatës së Apelit vendos për herë të parë në pikëpyetje PD-në, e cila nga një forcë që ka qeverisur vendin për 13 vjet, mund të kthehet në shtojcë reale e “Rilindjes” së Ramës. Ky i fundit, dyshoj fort se do të qëndrojë pasiv në këtë mesele (edhe pse teorikisht nuk i përket thuajse fare), duke ndërhyrë, në caktimin edhe të kundërshtarit të tij politik, atë me të cilin e ka më të thjeshtë jo vetëm që ta mundë në çdo palë zgjedhje, por kur t’i interesojë, edhe të bëjë “pazaret” e rastit. Dhe personi tipik në këtë kontekst është pikërisht Alibeaj, ithtar i “bashizmit”, gjoja një filozofi, por pa pikë bërthame, e hedhur në treg si një ideologji konservatore, e “së resë që përmbys të vjetrën”.
Pra, nëse Apeli do ti japë të drejtë grupimit “Basha”, vula dhe kryetarllëku do ti mbetet Alibeajt (kupto Basha), i cili me të drejtë do të kërkojë më pas që të regjistrojë kandidatët e tij, të PD-së zyrtare në zgjedhjet e majit 2023 (data nuk është caktuar ende). Në këtë kontekst, Berishës dhe pjesës më të madhe të anëtarëve të PD-së së Rithemelimit, i mbeten veçse dy rrugë: ose të krijojë një parti të re, çka duket tërësisht e pamundur, ose të regjistrojë kandidatët e tij, sikundër në pjesoret e këtij viti, nën ombrellën e Partisë së Lirisë. Në të dyja rastet, rrezikohet seriozisht një “6 mars” i dytë dhe një asimilim i PD-së, çka me bekimin e Ramës, nuk është aspak çudi që të ndodhë. Kësisoj, për të mos rrezikuar një autogol thuajse të sigurt në përballjen e 3 nëntorit në Gjykatën e Apelit, mendje të ftohta dhe racionale si nga krahu i Alibeajt dhe nga ai i Rithemelimit, do duhet t’i dalin përballë këtij skenari ogurzi. Pragmatizmi, arroganca dhe ambicia për karrige do duhet ti lënë vendin një lloj idealizmi, të cilën PD-ja, sot e ka jetike.
Është mëse e vërtetë që ajo çka proklamoi Berisha nëpër foltore përgjatë periudhës 12 shtator-10 dhjetor 2021 është shumë larg realitetit, pasi sot PD-ja është gjithçka, por vetëm e rithemeluar nuk mund të quhet, por përsëri lidershipi i doktorit, sot për sot është e keqja e nevojshme. Nesër, me një PD më të qetë dhe me ca pushtet vendor (sot ka vetëm, 1 kryetar në Shkodër dhe asnjë këshilltar), organizmi deri në rrënjë është domosdoshmëri për zgjedhjet e 2025-ës. E kundërta, edhe sikur nafta, ushqimet, energjia të shkojnë në çmime stratosferike; edhe sikur korrupsioni qeveritar të shtrihet këmbëkryq; edhe sikur shqiptarët të vdesin mjerueshëm rrugëve të këtij vendi, përsëri Edi Rama do ta fitojë mandatin e 4-t. Sepse nëse shqiptarët humbin besimin, atëherë më shpejt zgjedhin emigrimin përkundrejt luftës me “mullinjtë e erës”.