Qeveria ka nisur zyrtarisht të vërë në jetë reformën e paralajmëruar rregullatore, e cila lehtëson procedurat për qytetarët dhe biznesin.
Në mbledhjen e radhës, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që thjeshton procedurat për marrjen e tre dokumenteve të rëndësishëm të pronësisë.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministria e Financave, kopja e kartelës së pasurisë, ajo e fragmentit të hartës kadastrale dhe vërtetim i pronësisë të merren në mënyrë elektronike përmes portalit “e-Albania”.
Kjo do të thotë se qytetarët nuk do të kenë nevojë të paraqiten dhe të mbajnë radhë më në zyrat e regjistrimit të pronës për të marrë këto vërtetime, por mund ta bëjnë këtë edhe nga shtëpia përmes internetit.
Por ndryshimi më i rëndësishëm është se nga këtej e tutje, të tre këto dokumente nuk do të kërkohen më nga asnjë institucion publik për nevojat e tyre proceduriale, pasi institucionet mund t’i verifikojnë online.
Përmes këtij vendimi, Qeveria thotë se jo vetëm që u kursen kohë qytetarëve, por ul edhe kostot e tyre, pasi të tre këto dokumente deri tani kanë qenë me pagesë. Aktualisht janë mbi 1 mijë certifikata apo vërtetime që i kërkohen qytetarëve dhe biznesit nga institucionet shtetërore. Qeveria thotë se përmes reformës rregullatore numri i tyre do të përgjysmohet.