Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se mazhoranca është tërhequr nga paketa anti-shpifje.
Gjatë një aktiviteti në Fier, ai theksoi se mazhoranca ka tërhequr ndryshimet ligjore që janë bërë para tre vitesh për ligjin e medias.
Balla ka nënvizuar se në Shqipëri ka sponsorizim nga rusët në media, duke minuar demokracinë.
“Pas polemikave të krijuara lidhur me ligjin për median që kanë të bëjnë me shpifjen, dua të rikonfirmoj se ne kemi tërhequr ndryshimet ligjore që janë bërë para tre vitesh. Në kushtet që jemi, edhe në shumë vende ka rezoluta në PE kundër dezinformimit dhe ne kemi një rezolutë të tillë. Në fakt kemi një rrezik të vazhdueshëm që sponsorizohet me rublat ruse. Rusia ka ndikuar në minimin e demokracisë, duke favorizuar edhe mediat. Ky pushtet i katërt duhet të mos bjerë në financimet e paligjshme nga aktorët që minojnë demokracinë”, tha Balla gjatë një aktiviteti në Fier.
Në prag të zgjedhjeve vendore, ai tha se pritet të nisë edhe një tur takimesh në të gjithë vendin, gjatë të cilit do të vlerësohen punët e kryera nga të gjithë kandidatët.