Bota Përgatitje për luftë? Inteligjenca britanike: Kina po josh pilotët e ushtrisë britanike

Përgatitje për luftë? Inteligjenca britanike: Kina po josh pilotët e ushtrisë britanike

Inteligjenca britanike ka lëshuar një “alarm kërcënimi” tepër të rrallë. Paralajmëron se ushtria e Kinës po përpiqet të rekrutojë ish-pilotët dhe ata që janë në detyrë të avionëve luftarakë “RAF” për të trajnuar forcat e saj ajrore. Këtë e raporton media prestigjioze “The Telegraph”.

Gazeta britanike shkruan se ministrat kërkojnë të ndryshojnë ligjet për të ndaluar ish-pilotët të ndihmojnë kolegët në ushtrinë kineze, mes raportimeve se të paktën 30 anëtarë të personelit britanik kanë përfituar “shpërblime tepër bujare” në paketat e rekrutimit të ofruara nga shteti që konsiderohet një superfuqi globale.

Zyrtarët britanikë shprehen për “The Telegraph” me shqetësim dhe kundërshti të madhe për skemën pasi përbën një kërcënim për interesat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ato të perëndimit në tërësi.

Ministri i forcave të armatosura, James Heappey, tha se qeveria do të ndryshojë ligjin për të vendosur një rregull me dy faza paralajmërimi për pilotët, përpara se të ndiqen në rrugë ligjore.

Ai nënvizon se Kina është një rival që kërcënon interesat e Britanisë së Madhe në shumë vende rreth botës dhe se dihen tashmë përpjekjet e shtetit komunist për të marrë sekretet e ushtrisë që është pjesë e aleancës së madhe, NATO.

Kjo vjen në një kohë kur në drejtim të Pekinit janë lëshuar një sërë akuzash se po përgatitet për luftë për të aneksuar Tajvanin. Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se planet e Kinës për të pushtuar këtë territor po lëvizin shumë më shpejt në kohë.

Ky reagim erdhi pasi presidenti Xi Jinping, në një fjalim në kongresin e Partisë Komuniste, bëri të qartë synimet për aneksimin e Tajvanit si pjesë kryesore e planit për të rinuar kombin.