Aktualitet Hakerat iranianë nxjerrin të dhënat e kreut të SHISH

Hakerat iranianë nxjerrin të dhënat e kreut të SHISH

Hakerat kanë publikuar të dhënat dhe hyrje-daljet në sistemin TIMS të kreut të SHISH, Helidon Bendo.

Në kanalin e tyre në Telegram “Homeland Justice” apo “Drejtësia e Atdheut”, hakerat iranianë publikuan mbrëmjen e së mërkurës një dokument me të gjitha të dhënat e kreut të shërbimit sekret shqiptar.

Aty renditen të gjitha të dhënat personale të Bendos. Gjendet numrat e telefonit, adresa e saktë, makinat që ka në zotërim ai dhe bashkëshortja e tij. Janë publikuar numri i kartës së identitetit dhe të gjitha numrat e pasaportave që zotëron (të zakonshme apo diplomatike). Janë të publikuara të gjitha hyrjet dhe daljet e kreut të SHISH nga territori shqiptar.

Dokumentet me të cilat ka udhëtuar nga 2005 deri në 2021. Janë publikuar të përshkruara të gjitha udhëtimet e tij jashtë vendit nga 1 prilli 2005 (kur ka shkuar në Athinë) dhe deri në 22 mars 2022 kur ka dalë me makinë nga pika kufitare e Qafë Botës. Bëhet fjalë për 63 udhëtime gjithsej jashtë vendit ku përfshihet, Greqia, Italia, Turqia, Austria, etj.

Duket qartë se këto të dhëna janë marrë nga sistemi TIMS i cili u sulmua në shtator të këtij viti. Në mesazhin e tyre grupimi “Homeland Justice” kërcënon autoritetet shqiptare për mbrojtjen që u kanë dhënë atyre që i quajnë terroristë të MEK.

Dy ditë më parë Homeland Justice publikoi të dhënat e radhës të titulluar “numrat e telefonit të shqiptarëve”.

Tashmë në rrjet mund të gjesh mijëra numra telefoni të shtetasve shqiptarë, emër, mbiemër, si dhe numrat e kartave të identitetit.

Hakerat thonë se shkak i sulmit është mbështetja për muxhahedinët që po strehohen në kampin e MEK në Manëz.

Më herët hakerat publikuan lista të tjera, të cilat kishin në shënjestër punonjës të Policisë së Shtetit.

Që prej vitit 2021 Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platforma e shërbimeve online e-Albania.

Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.