Një i ri që u ndalua mbrëmjen e djeshme nga policia ka ndërruar jetë papritur në Spitalin e Traumës.
Mbrëmjes e së mërkurës (19 Tetor), rreth orës 23:07 në rrugën “Riza Cuka”, një patrullë e përgjithshme e policisë së Tiranës i bëri thirrje një qytetari për të ndaluar për kontrollin e dokumenteve të identifikimit.
32-vjeçari Lear Kurti, nuk e zbatoi urdhrin e autoriteteve dhe u largua me vrap. Patrulla u vendos në ndjekje të tij dhe e ndaloi qytetarin në rrugën “Don Bosko” për ta shoqëruar më pas në komisariatin nr. 3.
Sapo ka mbërritur në komisariat, 32-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore të rënduara dhe u shoqërua me mjetet e policisë në Spitalin e Traumës ku ndërroi jetë.
AMP ka ngritur menjëherë një grup hetimor për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Ekzaminimet mjeko-ligjore do të përcaktojnë edhe shkakun e vdekjes së mistershme, që do të qartësohet në një njoftim përfundimtar për shtyp nga AMP.