Erik ten Hag ka marrë vendimin që i trembeshin të gjithë tifozët: Cristiano Ronaldo mbetet jashtë listës së Manchester United për ndeshjen e kësaj fundjave në transfertën londineze të Chelseat.
Pasi la pankinën në fundin e takimit kundër Tottenhem ende pa u mbyllur sfida, dukshëm i mërzitur për mosaktivizimin e tij në fushën e lojës, fituesi i 5 Topave të Artë ka pasur një konfrontim në qendrën stërvitore të Carrington ditën e sotme me klubin dhe trajnerin që mesa duket ka marrë vendimin ekstrem në dëm të luzitanit.
“Cristiano nuk do të jetë pjesë e Manchester United për ndeshjen e kësaj të diele kundër Chelseat“, shkruan klubi në faqen zyrtare.
Hendeku mes Cristianos dhe pjesës së tjetër të grupit duket se është bërë më e madhe. Ashtu siç është rritur fuqia e Ten Hag tek United. Pas nisjes së dobët të sezonit, holandezi tashmë ka pas tij drejtuesit e klubit. Aq sa vendosi edhe përjashtimin e Cristianos nga skuadra.
Faqja e njohur “The Athletic” shton se vendimi për të braktisur stadiumin do t’i kushtojë edhe më shtrenjtë se përjashtimi nga një ndeshje Cristiano Ronaldos, të cilit do t’i duhet të stërvitet i vetëm dhe jo me skuadrën, edhe pse një lajm i tillë nuk është konfirmuar ende.