Aktualitet Mbyllja e biznesit të Agron Shehaj, Ministria e Brendshme: Kompania e deputetit...

Mbyllja e biznesit të Agron Shehaj, Ministria e Brendshme: Kompania e deputetit me 560 m2 pa leje

Ministria e Brendshme i është përgjigjur zyrtarisht akuzave të deputetit të Partisë Demokratike, Agron Shehaj për mbylljen e biznesit të tij.

Ministria e Brendshme thekson se “kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin në objektin me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje”.

Deklarata e Ministrisë së Brendshme: “Me një sqarim të detyruar, por jo të dëshiruar, Ministria e Brendshme u përgjigjet akuzave të deputetit Agron Shehaj, që vijnë nga salla ku presupozohet se ai ka shkuar për të diskutuar e marrë vendime të rëndësishme për ata që e kanë votuar. Ai sot është përpjekur të sulmojë institucionet ligjzbatuese dhe të ‘mbrojë’, paligjshmërinë e tij.

Fotoja që publikoi deputeti Shehaj është dëshmi e saktë, e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe IKMT në krye të detyrës, për bllokimin e një ndërtese subjekt i ligjit për penalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim fitimi.

Është pikërisht ky objekt me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje, ku kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin.

E megjithë paligjshmërinë në flagrancë, nga shkelësi artikulohet me lehtësinë më të madhe, akuza për mbyllje biznesi të ndershëm”.

Pak orë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se biznesi i tij me 200  punonjës është mbyllur dhe sipas deputetit Shehaj kjo është bërë nga “Kryeministri Rama me qëllimin që ai të heshtë”.

Shehaj shprehet se Policia nuk ka dorëzuar asnjë dokument apo akt në lidhje me bllokimin dhe kjo sipas tij është bërë  në shkelje flagrante të ligjit.

Pas ankesës në Prokurori, Shehaj thotë se është njoftuar zyrtarisht se Prokuroria nuk ka urdhëruar asnjë sekuestro dhe se në Prokurori nuk është referuar nga Policia asnjë akt që lidhet me sekuestro.

Në postim, deputeti Shehaj thekson se “kompania e tij ka kërkuar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë pezullimin e këtyre veprimeve arbitrare të Policisë së Shtetit”, teksa thotë se kanë “paraqitur në SPAK kallëzim penal për drejtuesit e Policisë së Shtetit për shpërdorim detyre”.