Një autobus që vinte nga Bari është ndaluar në Portin e Durrësit pasi është evidentuar nga kontrolli i imtësishëm se po fuste një shumë të madhe eurosh në vendin tonë.
Policia njofton se si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të autobusit janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.
Agjentët kishin informacion për transportin e eurove ndaj dhe e kaluan autobusin në skaner për verifikim më të hollësishëm.
Operacioni policor i koduar “Eurot” u finalizua pas një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës.
Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.