Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë takimit me drejtuesit dhe strukturat lokale në Kuçovë, tha se opozita do të fitojë bindshëm zgjedhjet e ardhshme lokale.
“…Në zgjedhjet e ardhshme vendore opozita do fitojë bindshëm dhe PL do të ketë një kontribut madhor për këtë çështje…”, tha Meta duke fajësuar sa Ramën ashtu edhe Bashën në kohën kur ky i fundit ishte kryetar i PD-së për marrëveshje me njeri tjetrin.
“Si e kapi shtetin, këtu u tregua e mençur Rilindja, duke kapur Lulushin, mirëpo 8 vjet, 9 vjet nuk vazhdoi më ky teatër. Situata është bërë dramatike për Rilindjen, por situata është shumë më e mirë për Shqipërinë, pavarësisht se situata është e rëndë. Jemi vendi i dytë në botë për ryshfetin, falë Ramaformës, vendi i parë për korrupsionin në Europë dhe ndër të parët në botë. 26 vende ka rënë Shqipëria. Ku ka korrupsion më flagrant se inceneratorët. Do shtohen përsëri fondet për inceneratorët. Ndaj shqiptarët janë të neveritur përfundimisht nga hipokrizia e rilindjes dhe janë të paduruar për ndryshim dhe për protesta sepse e di shumë mirë se ka ardhur koha e përballjes finale dhe të vërtetë. Jemi gjithashtu përpara zgjedhjeve vendore dhe duke qenë përpara zgjedhjeve vendore dua t’ju siguroj se qëllimi më madhor i PL është rivendosja e pluralizmit në të gjitha këshillat vendore, bashkitë e vendit ku sot jo vetëm për përgjegjësinë e Edi Ramës, por edhe poshtërsinë e Lulushit, opozita nuk ka sot asnjë këshilltar”, tha Meta.
Ish-Presidenti sulmoi sërish Lulzim Bashën dhe e akuzoi atë për pakt me Ramën për të dëmtuar opozitën në 2019-ën.
“Ishte Lululushi, i cili në mënyrë të koordinuar sepse e kishin kapur peng me dosjet dhe aferat që kishte bërë, ia mbyllën çështjen në Prokurori, kishte planifikuar me kohë djegien e mandateve, edhe mos hyrjen në zgjedhjet vendore.
Ishte Lulushi, m’u luste dhe më qante mua për të shtyrë datën e zgjedhjeve vendore. Sepse i thanë ata në Gjermani “ore vagabond’ mos thuaj atje në Shqipëri se të kemi thënë ne “ik nga Parlamenti, e bëj rrëmujë Shqipërinë ti”. Prandaj i thanë do bësh namin, një shashkë përdori në media që u hodh, i thanë do të përjashtojmë nga Partia Popullore Evropiane.
Edhe mu lut mua ai “aman derman anuloje që të hyjmë në zgjedhje të tjera, se kam bërë gabime”, edhe ma dha Lulushi datën mua, 13 tetor. Se ai tjetri nuk donte datë fare, e kishte mbyllur me kohë, teatri ishte mbyllur. E lashë me 13 tetor.
Si e shpjegoni, mirë Rama s’donte zgjedhje vendore se i kishte mbyllur këto punë me kohë, po Lulushi nuk pranoi as të regjistrohej në KQZ thjesht për të më justifikuar mua si President që mora një përgjegjësi kaq të madhe që të mos përplaseshin në votime.
U regjistruan të gjithë, ky jo. Respekto dekretin e Presidentit që e kërkove vetë, se linte Edi Rama.
Nuk ka biznesmen më të talentuar se Luli, ka ardhur në Shqipëri me 0 investim dhe sot falë mashtrimeve të tij është kudo në çdo aferë me Edi Ramën, edhe sot janë bashkë që flasim. Duan të shkatërrojnë opozitën, erdhën nga jashtë në Shqipëri të dy, me porosi në Shqipëri, dhe sillen si kolonizatorët që shkonin ën vende të tjera ‘merrni ca të merrni”. Por llogaritë i kanë bërë gabim”, tha Meta.