Një 35-vjeçare është gjetur e vrarë në banesën e saj në Viale Triste të Italisë pasditen e së dielës. Sipas mediave italiane, viktima është Alexandra Elena Mocanu, e lindur në Rumani.
Trupi i pajetë u gjet pasi vëllai i bashkëshortit të viktimës dha alarmin në polici. Shkaqet e sakta të vdekjes nuk janë bërë të ditura.
Ndërkohë, sipas shtypit italian, në kërkim nga policia është shpallur bashkëshorti i saj shqiptar, Avni M. Policia nuk ka mundur ta gjejë bashkëshortin e viktimës.
Fqinjët i kanë raportuar policisë për grindje të vazhdueshme të çiftit. Megjithatë, deri tani policia italiane nuk ka akuza të ngritura ndaj bashkëshortit shqiptar të viktimës. Policia nuk përjashton mundësinë që Avni M. të jetë larguar drejt Shqipërisë, kjo për shkak se ai telefonatën e fundit e kishte bërë me vëllain të cilin e njoftonte që duhej të largohej. Ai ka marrë me vete telefonin dhe makinën e bashkëshortes së tij të ndjerë.
Më pas ishte vëllai i Avni M. që njoftoi policinë për të shkuar në banesën e çiftit, ku aty gjeti trupin e pajetë të 35-vjeçares të mbështjellë me batanije. Viktima punonte si banakiere në një lokal.
E gjithë dinamika e ngjarjes është e paqartë, ndërkohë që autoritetet italiane vijojnë hetimet.