Në meshën e së dielës Papa Françesku u lut për popujt e prekur nga fatkeqësisë natyrore, për shqiptarët për përmbytjet e ndodhura javën e kaluar dhe për indianët e prekur nga cikloni.
Në sheshin “Shën Pjetër” Papa Françesku tha se është pranë familjeve që janë vënë në provë të ashpër nga përmbytjet.
“U jam pranë, tha Papa, popullsisë indiane të goditur nga cikloni Okhi dhe familjeve të shumë peshkatarëve të humbur. U jam pranë, tha Ati i Shenjtë, dhe popullit shqiptar i vënë në provë të ashpër nga përmbytjet e shumta në vend.”
Gjendja e rëndë në të cilët u përfshinë mjaft zona në Shqipëri pas përmbytjeve të mëdha të ditëve të fundit është përcjellë me vëmendje nga të gjitha mediat italiane si dhe nga Radio Televizioni i Selisë së Shenjtë.
“Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar ndihmë komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë ballë emergjencës së shkaktuar pas përmbytjeve të mëdha në vend”, shkruan Radio Vatikani.
“Mbi 70 mijë persona për disa orë me rradhë kanë mbetur pa energji elektrike nga moti i keq. Reshjet kanë qenë masive dhe lumenjtë kanë dalë nga shtrati e dëme të mëdha janë regjistruar në periferitë e Tiranës, në Durrës, Bardhaj, Marikas e Laknas. Ka pasur dhe një viktimë,” informon RTV e Selisë së Shenjtë.”
Ndërsa në Indi, bilanci është dhe më dramatik.
Cikloni Okhi ka shkaktuar 39 viktima e 167 persona të humbur.