Humbja e katërt në pesë gara të Champions dhe për Juventus mbyllet aventura në Champions League. Bardhezinjtë u mposhtën 4-3 në Portugali nga Benfica.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, PSG triumfoi 7-2 ndaj Maccabi Haifa. Dy ekipet që kalojnë në fazën e ardhshme të Champions League janë PSG dhe Benfica.
Ndërkohë, Milani mori një fitore të pastër 0-4 në transfertë ndaj Dinamos së Zagrebit dhe tashmë do t’i mjaftonte vetëm një barazim ndaj Salzburgut në ndeshjen e fundit në grup për t’u renditur pas Chelsea-t.
Real Madrid rrezikon vendin e parë me humbjen e parë sezonale që e regjistron në Leipzig. Kampionët e Europës u mundën 3-2 nga skuadra gjermane, kjo edhe për shkak të faktit që nuk u impenjuan në maksimum për shkak të biletës së fazës tjetër që e kishin prerë tashmë.
Pas kësaj disfate, “Los Blancos” mbeten në krye të grupit por me 1 pikë më shumë se Leipzig që ndjek me 9 ndërsa Shakhtar mbetet në vendin e tretë me 6 pikë pas barazimit 1-1 në transfertën e Celtic.
Nuk u regjistruan gola në Dortmund me Borussian që barazoi ndaj Manchester City. Paqe që u bën punë të dyja skuadrave pasi gjermanët renditen të dytët dhe sigurojë kualifikimin në fazën tjetër, ndërsa Pep Guardiola zyrtarizon kreun një ndeshje nga fundi.