Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas takimit që ka zhvilluar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin ka deklaruar se Kosova ka rikonfirmuar se ka përmbushur kriteret për liberalizmin e vizave.
Në një konferencë të përbashkët për mediat së bashku me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin, Presidentja e Komisionit Europian Von der Leyen tha se Komisioni Europian është tërësisht në anën e Kosovës, teksa shtoi se do të bëhet çmos për të bindur të gjithë Këshillin e Europës që kjo temë të adresohet shumë shpejt në mënyrë konstruktive.
Ursula von der Leyen: Kosova i ka plotësuar të gjitha standardet e nevojshme. Këtë e kemi thënë në vitin 2018, e kemi përsëritur dhe para disa javësh dhe gjithashtu në aspektin teknik, për liberalizimin e vizave janë plotësuar të gjitha kriteret. Komisioni është plotësisht në anën tuaj, do të bëjmë çmos që ta bindim të gjithë Këshillin që kjo temë të adresohet shumë shpejt në mënyrë konstruktive.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha gjithashtu se Europa nuk është e plotë pa Kosovën dhe se vendi i Kosovës është në Bashkimin Europian.
Ursula von der Leyen: Vendi i Kosovës është në Bashkimin Europian. Jam shumë e bindur për këtë dhe këtë ju po e dëshmoni çdo ditë. Gjithmonë do ta them, Europa nuk është e plotë pa Kosovën. Kjo është shumë e qartë. Me luftën e Rusisë dhe Ukrainës, marrëdhëniet tona me partnerët në Ballkanin Perëndimor janë më të forta. Ju siguroj që Bashkimi Europian është i përkushtuar më shumë se kurrë në procesin e zgjerimit.
Pyetjes së gazetarit se “është në Kosovë 4 ditë përpara se qeveria e Kosovës të fillojë të zbatojë vendimin për çështjen e targave për automjetet e qytetarëve serbë dhe se çfarë mesazhi po sjell në Kosovë për këtë rast dhe gjithashtu për Serbinë”, Presidentja e Komisionit Europian iu përgjigj kështu:
“Shumë shkurt dhe qartë: Unë mendoj se është e domosdoshme që regullat janë të qarta dhe duhet të respektohen në çdo shtet. Nëse ka periudhë tranzitore, trancizioni duhet të jetë përfshirës, duhet të shkojë siç duhet. Unë e di se është duke u punuar që të gjendet një zgjidhje dhe gjithashtu ju uroj për përpjekjet dhe për të gjitha gjërat që po bëhen në kuadër të dialogut”, tha Ursula von der Leyen.