Artisti i njohur shqiptar, Ermal Meta është rikthyer në Shqipëri, kësaj here jo si këngëtar, por me petkun e shkrimtarit, për të prezantuar librin e tij të parë “Nesër e përgjithmonë”.
Në takimin e zhvilluar në sallën e re “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Ermal Meta rrëfeu për të rinjtë e pranishëm se si i lindi ideja për të shkruar këtë libër. Ai tha se ndër vitet që ka jetuar në Itali, ndjeu një thirrje të brendshme nga vendi i tij, derisa erdhi çasti për ta bërë këtë hap.
“Kam kaluar shumë vite pa u kthyer në Shqipëri, ndoshta 17, dhe sa herë që mendoja për vendin tim ndieja thirrjen e gjakut tim, ishte një thirrje shumë e fortë, saqë në fakt, më bëri efektin e kundërt, më shkaktoi frikë. Mandej, në një pikë i thashë vetes se nuk mund të prisja dot më për ta hedhur këtë hap, kështu që e bëra, e hodha hapin dhe kuptova se kisha humbur shumë ndërkohë, por nuk ishte vonë për ta rikuperuar”, tha Ermal Meta.
I pranishëm në promovimin e librit ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ai tha se libri i Ermal Metës mund të shërbejë si manual i një reflektimi të madh kombëtar dhe se si disa gjëra duhen bërë më mirë. Veliaj shtoi se shpreson që libri të ketë suksesin që ka pasur në Itali.
Libri “Nesër e përgjithmonë” flet për historinë e një personazhi me emrin Kajan i cili rritet mes stuhisë së konflikteve të shekullit XX. Librit i janë shitur edhe të drejtat për t’u kthyer në prodhim kinematografik. Ato janë blerë nga producenti Carlo degli Esposti-Palomar për të realizuar një serial televiziv.