Kryesore Hakerat iranianë ‘shënjestrojnë’ Ramën, zbardhin 421 udhëtimet e kryeministrit

Hakerat iranianë ‘shënjestrojnë’ Ramën, zbardhin 421 udhëtimet e kryeministrit

Hakerat iranianë vijojnë publikimin e dokumenteve sekrete të siguruara nga ndërhyrjet në sistemet qeveritare dhe kësaj here kanë nxjerrë për publikun në faqen e tyre ‘Homeland Justice’, të dhënat personale të kryeministrit Edi Rama si dhe udhëtimet e tij jashtë vendit që janë regjistruar në sistemin TIMS.

Në 65 faqe të dhëna të publikuara shihet se kryeministri Edi Rama ka dalë plot 421 herë nga territori i Shqipërisë përmes pikave të ndryshme kufitare që prej vitit 2004.

Mes dokumenteve janë treguar dhe pasaportat e përdorura nga kryeministri si dhe kartat e identitetit të tij gjatë këtyre viteve.

Grupi i hakerave iranianë i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut”, ka publikuar më parë e-mailet e kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, si dhe ka nxjerrë në publik numrat e telefonit të qytetarëve shqiptarë.

Ata nisën një sulm kibernetik shkatërrues kundër dhjetëra faqeve zyrtare dhe të shërbimeve, duke i bërë ato jofunksionale për shumë kohë. Midis majit dhe qershorit 2022, aktorët kibernetikë shtetërorë iranianë kryen lëvizje anësore, si zbulimin e rrjetit dhe marrjen e kredencialeve nga rrjetet e qeverisë shqiptare.