Aktivistet dhe aktivistët në mbrojtje të klimës kanë sulmuar disa vepra arti. Me aksionet e tyre ata duan të detyrojnë politikën që të ndalojë ndryshimin e klimës. Muzeumet kanë shtuar masat e sigurisë.
Aktivistet dhe aktivistët në mbrojtje të klimës kanë sulmuar disa vepra arti. Muzeumet kanë shtuar masat e sigurisë. Së fundi u sulmua kryevepra e mjeshtrit holandez Jann Vermeer në muzen e Hagës.
Qull patatesh ndaj pikturës së Monesë në Pocdam, supë domatesh ndaj tablosë së van Gogh natyrë e qetë me lule dielli. Sulmet e aktivistëve të klimës ndaj veprave të artit po intensifikohen. Së fundi (27.10) tre aktivistë shënjestruan portretin “Vajza me vath perle” të Jan Vermeer në muzeun e artit Mauritshuis në Hagë. Ky portret i Vermeer nga mesi i shekullit të 17-të është një ndër veprat mjeshtërore të artit holandez.
Një burrë ngjiti kokën në xhamin mbrojtës të tablosë dhe shoku i hodhi atij bojë të kuqe. Një tjetër burrë ngjiti dorën pranë pikturës. Aksioni u filmua duke u postuar në twitter. Vepra e Vermeer nuk është dëmtuar, u komunikua nga muzeu. Megjithatë policia, që mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes përkohësisht i mbylli disa salla të muzeut.
Qëllimi i këtyre sulmeve
Supë domatesh mbi një vepër të Vincent van Goghut? Bob Geldof e kupton këtë gjë. Këngëtari irlandez i muzikës rok, the nismëtar i Live Aid, vetë aktivist i përjetshëm tha në një intervistë me Radio Times, pas hedhjes së supës me domate nga dy aktiviste të klimës mbi pikturën e famshme “Lulet e diellit” të Vincent van Goghut në Londër: “Aktivistët e klimës kanë 1000 për qind të drejtë. Unë i përkrah ata 1000 për qind.”
Piktura vetë nuk u dëmtua nga sulmi me supë domatesh, vetëm korniza u dëmtua. Gratë aktiviste u akuzuan me dëmtim të pronës së tjetrit. Do kishte qenë më e zgjuar, që të goditej piktura duke e ditur se është e mbrojtur me një cipë xhami, tha Geldof. Shkatërrimi nuk sjell gjë. Por kështu, sulmi mbi pikturë është vetëm një gjë e bezdisshme, dhe “bezdia nuk bën keq”. Në vijim këngëtari kërkoi aksione të ngjashme nga grupet e protestave pro-klimës duke thënë: “Ato nuk vrasin askënd. Ndryshimi i klimës vret.”
Krejt ndryshe e sheh këtë çështje drejtori i Institutit për Studimin e Ndryshimit të Klimës (PIK) me qendër në Pocdam: “Unë nuk mendoj se është mirë që të sulmohen veprat kulturore”, tha Ottmar Edenhofer (25.10), duke folur për agjencinë gjermane të lajmeve dpa në Pocdam.
“Kjo është në kundërshtim me atë që kërkohet të arrihet: Ne duam të ruajmë planetin. Dhe tek ruajtja bën pjesë edhe kultura dhe trashëgimia kulturore.” Dhe ai shton se: “Nuk duhet minuar me aksione të diskutueshme kauza për të cilën është duke u luftuar.”
Aktivistët e klimës duhet të luftojnë me procese demokratike dhe t’i respektojnë ato.
“Ne duhet të luftojmë dhe të punojmë për këtë gjë, kjo nuk vjen vetë.”
Aksione të ngjashme në Gjermani
Dy aktiviste të organizatës “Just Stop Oil”, hodhën më 14 tetor supën e dy kanoçeve mbi pikturën e van Goghut, që ndodhej në Galerinë Kombëtare në Londër. Ato shtruan gjatë aksionit pyetjen: “Kush ka më shumë vlerë, arti apo jeta?” Pak më vonë një aktiviste dhe një aktivist nga grupi i protestës “Letzte Generation” (Brezi i fundit), hodhën qull patateje mbi një pikturë të impresionistit francez Claude Monet, që ndodhej në muzeumin Barberini të Pocdamit. Edhe piktura e Monesë ishte e mbrojtur nga një cipë xhami, por korniza historike e pikturës u dëmtua rëndë dhe duhet restauruar. Policia është duke hetuar kundër dy atë akuzuarve për dëmtim prone të tjetrit dhe prishje qetësie, tha një zëdhënëse.
Sulmet shkaktuan indinjatë të madhe në botën e artit. Liga e muzeumeve gjermane (DMB) bëri të ditur: “Ne jemi instrumentalizuar nga aktivistët e klimës për të tërhequr vëmendjen – në kurriz të veprave kulturore.” Themeluesi i Muzeumit dhe mbrojtësi i arteve, Hasso Plattner, fondacioni i të cilit mban në jetë Muzeumin Barbarini, theksoi në një intervistë me gazetën “Potsdamer Neuesten Nachrichten”, rrezikun që në të ardhmen të “bëhet e vështirë ose e pamundur” që të gjenden vepra arti që jepen me qira për ekspozitat e Muzeumit Barberini.
Kontroll çantash dhe cipa xhami
Reagimet e para të Muzeumit, krah kontaktimit të atyre që kanë dhënë me qira veprat që ndodhen në ekspozitën aktuale, ishin rritja e masave të sigurisë. Kështu që ditën që u bë sulmi filloi kontrolli i çantave. “Sulmi mbi një vepër të koleksionit Hasso Platner, po ashtu si sulmet e mëparshme mbi veprat e artit, mes të cilave dhe ajo në Galerinë e Londrës, tregojnë se standardet e larta ndërkombëtare në mbrojtje të veprave të artit nuk mjaftojnë dhe duhen përshtatur për t‘u mbrojtur nga sulmet e aktivistëve,” bëri të ditur të hënën (24.10) në mbrëmje drejtoresha e Barberinit, Ortrud Westheider.
Edhe muzeume të tjera reaguan ndaj sulmeve. Një zëdhënëse e qytetit të Këlnit, iu përgjigj pyetjes së Deutsche Welles duke thënë: “Muzeumet e qytetit të Këlnit janë duke u paralajmëruar për rreziqet e këtyre sulmeve dhe do të reagojnë ndaj tyre me kujdes të veçantë.”
Muzeumi Ludwig në Këln bëri të ditur: “Siguri 100 përqind nuk ka, por ne do të vazhdojmë të marrim me qira vepra arti për ekspozitat tona më të rëndësishme dhe mendojmë se veprat e artit edhe do të na vihen në dispozicion.”
Remigiusz Plath, ekspert për çështjet e sigurisë të DMB dhe Fondacionit Hasso Plattner, këshillon që veprat me vlerë të artit të rrethohen me xham dhe që të vihet në punë më shumë personel.
Por veprat me përmasa të mëdha nuk mund të fshihen pas xhamit. Më e shumta para veprës mund të vihet një mburojë xhami. “Dhe kjo kushton po ashtu më shumë personel dhe më shumë para, dhe jo të gjitha muzeumet janë në gjendje t’i përballojnë ato,” thotë Platz. Siguri njëqind përqind ka vetëm kur veprat ndodhen në bodrume ose në depo.
Zgjedhja e armëve
Pse janë kthyer muajt e fundit gjithnjë e më shumë vepra arti në objektiv të sulmeve të organizatave që protestojnë pro klimës? Në faqen e internetit të grupit “Letzte Generation” Aimée von Baalen, zëdhënësja e organizatës, e shpjegon kështu sulmin mbi pikturën e Monesë: “Monet e donte shumë natyrën dhe e ka fiksuar bukurinë e veçantë dhe delikate të natyrës në veprat e tij. Si ka mundësi, që ne kemi shumë më tepër frikë nga dëmtimi i një imazhi që pasqyron realitetin, se sa nga dëmtimi i realitetit, natyrës, mrekullinë e së cilës Monet e vlerësonte kaq shumë?” Ajo shton: “Ne nuk do të kemi më kohë të mrekullohemi me artin, kur të luftojmë me njeri-tjetrin për bukën dhe ujin!”
Që në muajin gusht, dy të reja shkuan në Galerinë e Pikturave në Berlin, Gemäldegalerie, dhe iu ngjitën kornizës së pikturës “Pushim gjatë ikjes nga Egjipti” të Lucas Cranach të vjetrit, duke mbajtur në duar pllakatën e organizatës së tyre.
Aksione të ngjashme të akstivisteve dhe aktivistëve të klimës ka pasur më parë në Städel të Frankfurtit dhe në Galerinë e pikturave në Drezden. Grupi “Letzte Generation” është bërë i njohur më parë me aksione të bllokimit të autostradave dhe udhëkryqeve./DW