Kryeministri Edi Rama iu ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që e komentuan, ironizuan dhe akuzuan për rimishërim të diktatorit Hoxha kur zgjodhi të bëjë gëzuar me ujë në Gram të Dibrës.
“Disa të tjerë shajnë në tym pse unë ngrita një shëndet me ujë dje në Dibër, jo Enveri, jo komunizmi, jo tërrci-vërrci! Po që të jemi shumë të qartë, e para ujë të pijshëm 24 orë nuk ka pasur në shumë e shumë zona të Shqipërisë, përfshirë edhe Dibrën, as në kohën e Enverit dhe e dyta, kur unë ngre shëndet me ujë as më shkon mendja hiç tek Enveri, se me Enverin i kam mbyllur hesapet i pari fare në këtë vend, kur fola publikisht kundër tij e kërkova lirimin e të burgosurve politikë bashkë me Ardian Klosin, teksa të tjerët, me Hienën Nongrata në krye nuk bëzanin për shokun Enver dhe i quanin të burgosurit politikë “llumi i shoqërisë”, shkruan Rama.
Në postimin e tij ndalet të shpjegojë përse u vonua përmbushja e premtimit për 24 orë ujë në Dibër, që u bë realitet vetëm këtë muaj.
“Mandati i parë ishte dalje nga gropa e thellë e borxheve dhe kusureve të Partisë së Rublave. Investimet për ujin ecën, por me ngadalësi – akoma më ngadalë në bashkitë e rublaxhinjve. Mandatin e dytë u rrit ndjeshëm ritmi edhe falë largimit të ujëthithësve të LSI nga prehri ynë, deri kur erdhën me radhë tërmeti e pandemia, që diktuan përsëri ngadalësim të këtyre investimeve.”
Atyre që e krahasojnë me diktatorin Hoxha, kryeministri iu përsërit dollinë me ujë që bëri në Dibër.
“Sa për atë krahasimin me Enverin, gëzuar edhe një herë Dibra! Me Ujë 24 orë”, shkruan Kryeministri Rama.