Shqipëria renditet në vendin e 87 në Treguesin e Shtetit Ligjor, një indeks me 140 vende hartuar nga Projekti për Drejtësinë në Botë. Vendi ynë bie me katër pozicione, duke rezultuar më poshtë mesatares rajonale dhe asaj globale. Nga faktorët e marrë në konsideratë, niveli i korrupsionit është çfarë ka ndikuar më shumë në këtë rënie.
Rezultati u komentua edhe nga kryedemokrati Berisha, që nënvizon se Shqipëria rezulton e renditur më keq se Vietnami, një vend i cilësuar prej tij si diktaturë komuniste.
Sipas tij, kjo ndodh sepse në Shqipëri të gjitha pushtetet kontrollohen nga Partia Socialiste, ndërsa reforma në drejtësi “i këputi kolonën vertebrale shtetit shqiptar”, pohon Berisha.
Kryedemokrati nënvizon gjithashtu se në këtë tregues të shtetit ligjor, Kosova qëndron 53 shkallë më lart se Shqipëria.